Basha: Ora e fitores po afron. Do çliroj shqipërinë dhe do bëj shtet të së drejtës

Me tone të ashpra, i vendosur për të mos bërë asnjë hap pas në kërkesat e tij u shfaq edhe sot në Fier, kryedemokrati, Lulzim Basha.

“Ju them se ora për fitoren e kësaj beteje po afron. Po afron ora për çlirimin e Shqipërisë. Ka marrë fund koha kur një njeri vendos për fatet e të gjithëve. Dialogu mbarëkombëtar do bëjë të mundur që duke përfshirë gjithë shqiptarët t’i japim fund kësaj krize. Propozimet tona do diskutohen kudo në Shqipëri”,– tha Basha.

Pavarësisht ftesave për dialog, kryedemokrati artikuloi qartë madje u zotua se nuk do të bëjë asnjë kompromis me të keqen, duke iu referuar kështu qeverisë Rama.

“Nga ne sot kërkohet që të mos bëjmë asnjë kompromis. Dhe unë vëllezër e motra jam këtu për tu zotuar: Asnjë kompromis, asnjë pazar me të keqen. Sot e keqja është më e rrethuar se kurrë. Është një pikëz ishulli i rrethuar nga oqeani i zemërimit popullor. Kjo është beteja të merrni në dorë fatin tuaj. Ham-hamet, lehjet kërcënimet për të kryer një tjetër krim zgjedhor me një tjetër grup trafikantësh, zyrtarësh të kapur në përgjimet e Prokurorisë kot shpresojnë. Këto lehje që duan t’i shtinë frikën popullit në palcë janë lehjet e fundit të një regjimi që po jep shpirt. Duan të ndalin të pashmangshmen, fuqinë e bashkimit tonë. Ka shumë rëndësi që energjia e zemrave tuaja të bëhet çdo orë e më e fortë, të derdhet në Tiranë ditën e dielë në orën 19:00”,– tha Basha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu