Basha: Përjashtimi i Berishës ishte i drejtë, do ta merrja sërish atë vendim

Lulzim Basha, në një intervistë për Zërin e Amerikës, theksoi se Edi Rama ka ndaluar procesin e Reformës Zgjedhore dhe nuk ka miratuar asnjë nga rekomandimet e OSBE-OHDIR. Ai përmendi gjithashtu pazarin mes Ramës dhe Berishës që ka sjell mbylljen e listave të deputetëve, duke privuar qytetarët shqiptarë nga e drejta për të zgjedhur ata që duan në Parlament.

Lidhur me situatën brenda Partisë Demokratike, Basha e pranoi se partia kaloi periudhën më të vështirë të ndarjes, duke përsëritur se vendimi për përjashtimin e Berishës ishte për të ruajtur identitetin euroatlantik të PD-së. Ai theksoi se ky ishte një vendim i vështirë, por të nevojshëm për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe të djathtës, duke e konsideruar të drejtë refuzimin e kursit përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë si SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.

Lulzim Basha: Përgjegjësia ime ishte të merrja një vendim të vështirë, nëse do të pranoja që PD të futej në një kurs përplasjeje jo thjesht me aleatin strategjik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më vonë Britaninë e Madhe. Por do të futej në një kurs përplasjeje në atë që e djathta e Shqipërisë, e në veçanti Partia Demokratike e ka në ADN-në e vet që është Euroatlantizmi.

Pra, që është bashkëpunimi me këta faktorë të cilëve çdo shqiptar i njeh meritën, e përmbysjes së komunizmit, e ndihmës për Shqipërinë demokratike, e avancimit të kauzës tonë kombëtare si përmes anëtarësimit në NATO, ashtu edhe përmes çlirimit, pavarësimit dhe mbrojtjes të itegritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e kudo tjetër.

Pra, ka qenë një vendim i vështirë, për shkak se shumë prej pasojave që më vonë pasuan ishin qartësisht të paralajmëruara. Por nga ana tjetër ishte vendim i duhur, është vendim i cili i takon një lidershipi me përgjegjësi ku duhet të vendos një rrugë të vështirë, por ku shërbehet interesi i madh, interesi i të djathtës, interesi i Shqipërisë, apo një vendimi i cili do të vinte interesin personal mbi interesat e grupit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu