Bashkia e Tiranës marton dy gra, kisha katolike: E papranueshme

Ditën e djeshme, në tarracën e Bashkisë Tiranë, dy homoseksualet Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj kurorëzuan marrëdhënien e tyre në martesë.

Ceremonia e martesës së dy grave, të dyja të veshura me fustan nusërie, është bërë nga një punonjëse e institucionit dhe është bekuar nga një prift katolik i ardhur nga Anglia.

Por për këtë martesë, e para e këtij lloji në Shqipëri, ka reaguar Kisha Katolike e Shqipërisë me anë të zëdhënësit Dom Mark Pashkja.

Përmes një deklarate publike, Kisha Katolike në Shqipëri sqaron të gjithë besimtarët dhe mbarë opinionin publik se martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.

Gjithashtu, Kisha thotë se lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë.

Deklarata e plotë:

Sikurse jemi njoftuar nëpërmjet mediave, dje në ambientet e Bashkisë Tiranë, është zhvilluar një ceremoni në dukje “martesore” mes personave të së njëjtës gjini.

Në lidhje me këtë gjë Kisha katolike në Shqipëri dëshiron të sqarojë të gjithë besimtarët dhe mbarë opinionin publik që:

a) Bazuar në Doktrinën, Traditën dhe Magjisterin e Kishës, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.

b) Lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë.

c) Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu