BB: Kosova dhe Shqipëria, rritje më të madhe ekonomike në rajon

Banka Botërore (BB) sot ka prezantuar raportin e rregullt gjysmëvjetor për vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin theksohet se vendet e këtij rajoni kanë shënuar rritje ekonomike me hapa më të shpejtë se në vitin 2015, me çka rritja rajonale parashihet në 2.8 për qind në vitin 2016, gjegjësisht 3.2 për qind në vitin 2017, raporton Anadolu Agency (AA).

“Rritja më e shpejtë në Shqipëri dhe në Serbi ka kompensuar përhapjen më të dobët në Mal të Zi dhe Republikën e Maqedonisë, ndërsa rritja në Kosovë është ngadalësuar në vitin 2016, megjithatë kjo ekonomi edhe më tej shënon rritje më të shpejtë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, shumica e vendeve të reja të punës dhe çmimet e ulëta kontribuojnë në tejkalimin e varfërisë në rajon, me atë që shkallat mesatare të varfërisë u zvogëluan për pothuajse 2 për qind në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi në vitin 2016, që së bashku me përfitimet tjera kontribuoi për nxjerrjen e 240.000 njerëzve nga varfëria në tre vitet e fundit.

Më tej thuhet se në vitin 2016 rritje më të madhe shënoi Kosova me 3.6 për qind, më pas Shqipëria 3.2, Serbia dhe BeH-ja 2.8, Maqedonia 2.4 dhe Mali i Zi 2.1 për qind, ndërsa shkalla e rritjes në vitin 2016 për Ballkanin Perëndimor arrin në 2.8 për qind. Projeksionet për vitin 2017 janë se Kosova do të realizojë rritjen më të madhe, edhe atë me 3.9 për qind, më pas Shqipëria me 3.5 për qind, Mali i Zi 33.3, BeH-ja 3.2 për qind, Serbia me 3 për qind, Maqedonia 2.8 për qind, ndërsa shkalla e projektuar e rritjes për Ballkanin Perëndimor arrin në 3.2 për qind.

“Rimëkëmbja e rritjes në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në vitin 2016 me zvogëlim inkurajues të papunësisë dhe varfërisë”, deklaroi Elen Goldstin, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Edhe përkundër progresit, sipas raportit të BB-së, tregu i punës edhe më tej paraqet sfidë në vendet e Ballkanit Perëndimor, me atë që shkalla e papunësisë lëviz rreth 22 për qind në vitin 2016.

Maqedoni, rritja u ngadalësua si pasojë e investimeve të zvogëluara për shkak të krizës politike
Bojan Shimbov, ekonomist në Bankën Botërore duke prezantuar raportin gjysmëvjetor për Maqedoninë tha se rritja në vend vitin e kaluar u ngadalësua si pasojë e investimeve të zvogëluara për shkak të krizës politike në shtet. Shimbov prezantoi edhe porositë kryesore të raportit.

“Porositë kryesore për Maqedoninë të cilat do të donim t’i përcillnim janë se rritja u ngadalësua si pasojë e investimeve të zvogëluara të cilat u goditën nga kriza politike.

Konsumi final si edhe vitin e kaluar mbeti shtytësi kryesor i rritjes, i mbështetur nga përmirësimi i tregut të punës si dhe rrogat në sektorin publik, krijimi i vendeve të punës vazhdoi dhe mbështetej nga masat aktive të tregut të punës dhe disa përfitime në sektorin privat. Deficiti fiskal u zvogëlua në vitin 2016, kryesisht për shkak të investimeve të parealizuara kapitale, ndërsa shpenzimi i transfereve sociale, përfshirë edhe pensionet është rritur”, theksoi Shimbov.

Sipas tij, do të nevojitet konsolidim fiskal dhe reforma strukturore që të stabilizohet borxhi publik i cili vazhdoi të rritet në vitin 2016.

Raporti i Bankës Botërore bën notimin e përmirësimit të balancit fiskal në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Një pjesë e vendeve e realizuan këtë njëkohësisht, duke mbrojtur, gjegjësisht duke rritur shpenzimet investuese, që nga ana tjetër do të kontribuojë për përshpejtimin e rritjes në të ardhmen”, theksojnë Marko Hernandez dhe Ekateria Vostroknutova, bashkëautorë kryesues të raportit.

“Nga ana tjetër, vendet tjera zvogëluan deficitet e tyre me uljen e investimeve, ndonëse i rritën rrogat, pensionet, transferet dhe subvencionet. Kjo në mënyrë të papërshtatshme do të ndikojë në rritjen e ardhshme”, theksojnë ata.

Sipas raportit, për mbajtjen e rritjes në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përballjen me sfidat rrjedhëse lidhur me papunësinë, vendet duhet të vazhdojnë në rrugën e reformave. Perspektivat afatshkurtëra dhe afatgjate për rritje në rajon janë pozitive.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu