Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj, siç thotë, mungesës së përfaqësimit të shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas BDI-së, të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se të dhjetë drejtorët e kësaj ministrie janë maqedonas, ndërsa asnjë shqiptar nuk mban funksion drejtues në nivel drejtorie.
Partia vlerëson se kjo situatë paraqet shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se përjashtimi i shqiptarëve nga nivelet ku merren vendimet strategjike cenon besimin ndërmjet komuniteteve dhe dëmton karakterin multietnik të institucioneve të sigurisë.
Në reagimin e saj, BDI kritikon edhe koalicionin VLEN, duke vlerësuar se për më shumë se dy vjet në pushtet nuk ka arritur të sigurojë, sipas tyre, as përfaqësimin minimal të shqiptarëve në institucionet kyçe të sigurisë.
“Përfaqësimi i drejtë në institucionet e sigurisë nuk është çështje statistikash. Është garanci për besimin, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të shtetit”, thuhet në kumtesën e BDI-së.











