Pothuajse 600 milionë euro do të shpenzohen nga BE për ndihmë humanitare dhe mbështetje për refugjatët sirianë në vendet fqinje, pas miratimit sot nga Parlamenti Europian. Pjesa më e madhe e parave do të shpenzohet në Turqi, 485 milionë euro, që të mund të vazhdojë ndihma urgjente humanitare për refugjatët.
“BE-ja do të mbështesë refugjatët në Turqi përsa kohë që nevojat humanitare vazhdojnë. Ky financim i ri tregon shqetësimin tonë të thellë për më të prekurit, veçanërisht tani që koronavirusi ka përkeqësuar më tej situatën e tyre tashmë të rëndë”, tha eurokomisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.
Në të njëjtin votim, Parlamenti i BE-së miratoi, gjithashtu, një skemë mbështetjeje prej 100 milionë eurosh për refugjatët dhe komunitetet pritëse në Jordani dhe Liban.










