Zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një qëllim i përbashkët, dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut gjendet në mënyrë të palëkundur në BE, porosit presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dje në Shkup, duke lënë detyrat e ndryshimeve kushtetuese që Shkupi duhet të realizoj.
Costa nënvizoi se miratimi i ndryshimeve të rëna dakord kushtetuese mbetet kusht kyç për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit.
“Kjo është mënyra e vetme për të zhbllokuar përfitimet e plota të anëtarësimit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Progresi në integrimin evropian kërkon dialog konstruktiv me fqinjtë dhe hapa praktikë për ndërtimin e besimit,” theksoi ai.
Costa përshëndeti përkushtimin e Qeverisë dhe theksoi se vërehet progres në zbatimin e agjendës reformuese.
“Veçanërisht dëshiroj të theksoj progresin e fundit të prekshëm në zbatimin e agjendës reformuese, duke përfshirë udhërrëfyesit për sundimin e ligjit dhe reformën në administratën publike. Kjo është e rëndësishme për procesin e anëtarësimit, por edhe për shfrytëzimin e Planit të Rritjes dhe vetë aderimin,” tha Costa.
Ai shtoi se harmonizimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dërgon një sinjal të fortë për orientimin strategjik të vendit dhe për vlerat e përbashkëta.
Costa po zhvillon një vizitë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për samitin BE – Ballkan Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, ku do të bisedohet për zgjerimin, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe integrimin gradual të rajonit në Union.(INA)










