BE nuk heq sanksionet ndaj qeverisë së Kosovës

Presioni europian ndaj Kosovës mbetet i lartë e po ashtu sanksionet mbeten në fuqi. Zëdhënësi Peter Stanno tha se sanksionet do të hiqen kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.

“Ne po e ndjekim situatën nga afër çdo ditë në terren sepse kemi njerëzit tanë dhe po u kushtojmë shumë kohë përpjekjeve të palëve. Ne gjithashtu po punojmë me partnerët në mënyrë që Kosova të ndërmarrë hapat e duhur për të shtensionuar situatën dhe zgjidhur problemet që kulmuan me krizën e fundit. Dhe kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, atëherë BE-ja do të shqyrtojë shfuqizimin e masave.”

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian thotë se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke këmbëngulur se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.

“Kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur,” tha zëdhënësi Stano, duke iu referuar zbatimit të marrëveshjes për targat.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar vazhdimisht Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu