Bashkimi Evropian pritet të ridrejtojë një pjesë të mjeteve nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor drejt Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, pasi këto vende konsiderohen më të avancuara në zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësim në BE. Lajmi është publikuar nga Euronews, duke iu referuar dy zyrtarëve të Bashkimit Evropian, përcjell agjenica e lajmeve INA.
Sipas burimeve, Komisioni Evropian planifikon të rishpërndajë fondet e pashfrytëzuara nga instrumenti financiar, i krijuar në vitin 2024 për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin evropian.
Instrumenti mbulon periudhën 2024–2027 dhe ka në dispozicion gjithsej 6 miliardë euro. Megjithatë, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, deri më tani janë disbursuar vetëm rreth 673 milionë euro, ndërsa pothuajse të gjitha fondet e deritanishme kanë përfunduar te tre vendet që konsiderohen më të suksesshme në procesin e reformave.
Sipas Euronews, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që kanë shënuar përparimin më të madh falë zbatimit të agjendave të tyre reformuese. Në anën tjetër, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia konsiderohen se kanë mbetur prapa në përmbushjen e obligimeve.
Rregullat e instrumentit parashikojnë që reformat të realizohen brenda afateve të dakorduara. Nëse një vend nuk i përmbush detyrimet, Komisioni Evropian mund të pezullojë ose të ndalojë plotësisht pagesën e fondeve të lidhura me ato reforma. Pas skadimit të periudhës së paraparë për përmbushjen e kushteve, fondet mund të ridrejtohen te vendet që kanë shënuar progres më të madh.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi për Euronews se Komisioni do të kryejë një vlerësim të plotë dhe objektiv të progresit të të gjitha vendeve për hapat reformues që duhej të përmbusheshin deri më 30 qershor 2026. Më pas do të vendoset se cilat vende do të përfitojnë nga fondet e pashfrytëzuara.
Sipas raportimit, Bosnja dhe Hercegovina pritet të jetë humbësja më e madhe, pasi deri tani nuk ka marrë asnjë pagesë nga ky instrument për shkak të mosrealizimit të reformave të kërkuara. Edhe Kosova dhe Serbia mund të përballen me ulje të fondeve, megjithëse kanë përfituar një pjesë të mjeteve.
Në muajin prill, eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u kishte dërguar një letër vendeve të Ballkanit Perëndimor duke u bërë thirrje të përshpejtojnë reformat, në të kundërtën rrezikojnë të humbasin fondet e parashikuara.
Zyrtarët evropianë theksojnë se ky instrument bazohet në parimin e shpërblimit sipas rezultateve. “Është si një vend pune: paguhesh vetëm për punën që ke kryer”, citohet të ketë deklaruar një përfaqësues i BE-së.
Komisioni Evropian pritet që më vonë gjatë këtij muaji t’u paraqesë shteteve anëtare detaje shtesë lidhur me shumën e fondeve që do të ridrejtohen dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre. Ndërkohë, Brukseli rithekson se zbatimi i reformave mbetet kushti kryesor që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë maksimalisht nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian./INA/










