BE tërhiqet nga investimi i projektit për portin e Durrësit me vlerë prej 28 milionë euro

BE tërhiqet nga investimi i projektit për portin e Durrësit. Granti 28 mln euro, ishte parashikuar që të mbështeste realizimin e projektit për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit.

Në një vështrim në faqen zyrtare të “Western Balkan Investment Framework” (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) ky projekt mban tashmë statusin ‘i anuluar’.

Në përshkrimin e projektit në këtë faqe, investimi i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta.

“Porti i Durrësit aktualisht trajton rreth 90% të shkëmbimit detar të vendit në tonazh dhe 53% të të gjithë tregtisë ndërkombëtare. Terminali ka gjithsej pesë kalata dhe ka një sipërfaqe prej 92,680 m2. Kalatat 1 dhe 2 janë në gjendje të keqe dhe të parregullt. E para u ndërtua në vitin 1972 dhe e dyta midis viteve 1945 dhe 1951. Disa rehabilitime u kryen në vitin 1994. Megjithatë, elementët strukturorë nën ujë tregojnë shenja korrozioni të konsiderueshëm, gjë që pengon funksionimin e sigurt të kapaciteteve të mëdha të ngarkesave.

Për më tepër, thellësia e terminalit pranë kalatave varion midis 7 dhe 8.2 m, kështu që anije mallrash më të mëdha nuk mund të akomodohen në port. Projekti synon rehabilitimin e lidhjes hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, duke sjellë në përfundim të saj krijimin e një seksioni të rëndësishëm multimodal si pjesë e korridorit të rrjetit bazë të transportit, duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me Kroacinë dhe Italinë. Përveç kësaj, ata do t’i ofrojnë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut akses në rrugët e transportit detar.” -thuhet në përshkrimin e projektit, nga i cili BE tashmë është tërhequr.

Anulimi i projektit, vjen ndërsa parlamenti pritet të kalojë sot me procedurë të përshpejtuar, marrëveshjen për projektin e ri për transformimin e portit të Durrësit. Një projekt të cilin opozita e ka kundërshtuar me forcë, duke e konsideruar një aferë megakorruptive, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Projektligj që pritet të kalojë sot në seancë plenare, për të cilin kërkohet shumicë e thjeshtë votash: “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”– thuhet në përshkrimin e projektit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu