Bëhet me shtëpi të re vajza e plagosur gjatë luftës, Sadije Sadiku

Sadije Sadiku, vajza nga Zhabari që ishte plagosur nga serbët gjatë luftës në Zabllaq të Istogut dhe që atëherë ka mbetur e paralizuar, është bërë me shtëpi të re të ndërtuar me mjete të grumbulluara nga shoqata “Albanor”, me seli në qytetin Hallden të Norvegjisë, e ndihmuar nga komuna e Mitrovicës.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe kryetari i shoqatës “Albanor”, Mexhit Merovci, ia kanë dorëzuar të shtunën çelësat e shtëpisë së re, me hapësirë prej 65 metrash katrorë, të rregulluar mirë dhe të pajisur me të gjitha orenditë dhe elementet e nevojshme të amvisërisë, Sadijes, në fshatin e lindjes në Zhabar. I tërë investimi për ndërtimin e shtëpisë, ka kushtuar rreth 20.000 euro.

Sadija tha me rastin e pranimit të çelësave, se është kjo dita më e gëzuar dhe e lumtur në jetën e saj.

“Nuk kisha shpresuar se një ditë do të kem shtëpinë time. Por, ja ndodhi edhe kjo, falë shoqatës “Albanor” dhe kryetarit të saj, Mexhit Merovci, që më kishin përzgjedhur mua për të më ndërtuar shtëpinë, andaj edhe i falënderoj shumë dhe do u jem mirënjohëse gjithmonë. Natyrisht se patjetër duhet falënderuar edhe kryetarin e komunës, Agim Bahtiri i cili e ka mirëpritur iniciativën e Merovcit dhe ka kontribuar edhe materialisht nga buxheti i komunës”, tha Sadija.

Ajo tregoi edhe me këtë rast, se si është plagosur nga snajperistët serbë më 6.05.1999 në Zabllaq të Istogut, ku policia serbe i kishte detyruar të qëndrojnë gjatë përndjekjes për në Shqipëri, bashkë edhe me disa persona të tjerë shqiptarë.

“Plumbi më qëlloi në boshtin kurrizor dhe më ka paralizuar. Kam qenë për shërim në Itali, Gjermani dhe Holandë, por është konstatuar se nuk mund të shkeli më në këmbë. Megjithëkëtë pas trajtimit mjekësor ndjehem më mirë dhe tani në këtë gjendje që jam në karrocë, mund të përkujdesem për veten, pa ndihmën e askujt. Tash kur e kam edhe shtëpinë time, jam shumë e lumtur dhe besoj se do të kem një jetë normale”, tha ajo.

Shumë i gëzuar për shtëpinë e dorëzuar në shfrytëzim ishte edhe babai i Sadijes, Jahir Sadiku. Ai falënderoi Bahtirin dhe Merovcin për këtë donacion, që siç tha ai, “e ka bërë të lumtur vajzën e tij, por edhe të gjithë familjarët e saj, pasi që ajo tani e tutje do të ketë një jetë me më pak brenga.

Kryetari Bahtiri tha se ndjehet jashtëzakonisht mirë që Sadija u bë me shtëpi të re, andaj edhe shfrytëzoi rastin të falënderojë shoqatën “Albanor” për këtë donacion, ku Komuna kontribuoi me aq sa pati mundësi.

“Kjo shoqatë ka realizuar në Mitrovicë edhe tri projekte të këtilla, prandaj ne i jemi shumë mirënjohës asaj dhe z. Merovci. Vërtetë jam i gëzuar që Sadija u bë me shtëpi të re dhe që tani e tutje do të ketë një jetë më të lehtë”, tha ai ndër të tjera.

Gëzimin e tij nuk mund ta fshihte as Merovci. “Jam tepër i lumtur dhe i gëzuar për realizimin e këtij projekti, sepse është i veçantë, pasi që po e bëjmë me shtëpi një vajzë të re, që po i vuan edhe sot pasojat e kriminelëve serbë. E gëzofsh shtëpinë dhe paç jetë sa më të gjatë e të lumtur Sadije”, tha Merovci.

Sipas tij, shoqata “Albanor”, deri tash ka ndërtuar 38 shtëpi për familje të ndryshme në nevojë, në Kosovë, Maqedoni, Preshevë e Bujanoc.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu