Bekteshi dhe Nikollovski: Nuk kemi ndikuar në punësimin e familjarëve

Ministrat nuk shohin asgjë të jashtëligjshme dhe të jashtëzakonshme në punësimin e të afërmve të tyre në ndërmarrje apo institucione publike.

Në pyetjen e gazetarëve ndaj ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, se a do të kërkojë nga motra e tij e punësuar në MEPSO që të tërhiqet nga puna, ai tha se nuk do të bëjë një gjë të tillë, pasi nuk ka pasur ndikim gjatë punësimit të saj dhe nuk mund të ketë ndikim tani që të tërhiqet nga puna.

“Siç nuk kemi pasur ndikim gjatë punësimit të personave të caktuar të cilët përmenden në opinion,ne mendoj që nuk e kemi të drejtën që të kërkojmë nga ato që të lejnë vendin e tyre të punës apo të vazhdojnë. Nëse ne do të kishim kërkuar që ato të lëshojnë vendet e tyre të punës, i bie që ne të kemi ndikim edhe për të punësuar ato, por edhe për të vendosur për fatin e tyre jetësor. Atë të drejtë nuk e ka askush”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Edhe ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski, tha se nuk do të kërkojë nga kushëriri i tij i punësuar në M-Nav që të tërhiqet, pasi nuk ka ndikuar në punësimin e tij.

“Unë për asnjë punësim nuk kam ndikuar, që të kërkojë që dikush të bëjë diçka. Bëj thirrje që institucionet të hetojnë si për të gjitha rastet, por edhe për këtë rast, dhe të konstatojnë se për çka bëhet fjalë. Unë e di që bëhet fjalë për një kuadër të shkolluar në Japoni, Kinë dhe në Slloveni, mu për punën të cilën bëhet fjalë dhe unë për asnjë nuk guxoj dhe nuk kam të drejtë t’ia mohojë të drejtën dikujt që të konkurrojë dhe të punësohet”,- tha ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

Zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, duke mohuar akuzat e opozitës për ndikim të tij në punësime partiake, tha se përderisa opozita merret me politikë ditore, gëzon fakti se në Maqedoninë e Veriut po rritet punësimi në sektorin privat.

“Nuk kam asnjë ndikim në punësimin në cilindo kompani, e as në kompanitë energjetike, ajo nuk është detyrim i zëvendëskryeministrit të qeverisë. Por, ajo që dua të potencoj është se nuk duhet të merremi me politikë ditore, por ta shohim fotografinë e gjerë. E ajo është se në vitin 2018 në Maqedoni u ul përqindja e papunësisë, edhe atë për shkak se shumica e qytetarëve u punësuan në sektorin privat”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Gjatë ditës së djeshme, nga posti në Regjistrin Qendror në Strumicë dha dorëheqje nëna e deputetit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov. Komisioni për parandalimin e korrupsionit tashmë ka publikuar listën me 18 emra të afërt me funksionarë të shumicës, të punësuar në institucionet apo ndërmarrjet shtetërore, të cilët do të hetohen në periudhën e ardhshme. (Tvm2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu