Bekteshi: Na pret një dimër shumë i vështirë dhe i paparashikueshëm, do të shpallim gjendje krize në sektorin e energjisë

“Ne presim një dimër shumë të vështirë dhe të paparashikueshëm në aspektin energjetik, i cili nuk varet vetëm nga Maqedonia e Veriut apo vendet e rajonit, përkundrazi, varet nga mënyra se si do të zhvillohet situata me luftën në Ukrainë. Nuk priten kufizime të energjisë elektrike, edhe nëse kemi ndalim të importit të energjisë elektrike dhe gazit në vend. Në muajin gusht do të kërkojmë sërish shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e energjisë elektrike për të pasur mundësi të ndërhyjmë përmes masave shtesë për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore”, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media ku informoi për hapat dhe masat e ardhshme që do të ndërmerren për të mbrojtur qytetarët nga goditja e çmimeve.

“Do të kemi dimrin më të vështirë, situata është shumë e vështirë dhe e paparashikueshme jo vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit, por edhe në varësi të asaj se si do të zhvillohet lufta në Ukrainë. Ne jemi duke punuar në ofrimin e mënyrave alternative të furnizimit me energji, nëse kemi ndalim të plotë të importit të gazit në mënyrë që ngrohtoret dhe objektet industriale të funksionojnë. Në seksionin për burimet alternative, sipas ligjit, parashikohet edhe kalimi i tyre në një burim tjetër energjie, pra në mazut”, tha Bekteshi.

Lidhur me furnizimin me gaz për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, ministri Bekteshi potencoi se po bëhen përpjekje që të ketë burime alternative të furnizimit, duke qenë se Maqedonia e Veriut është plotësisht e varur nga gazi rus.

“Nëse arrijmë në bashkëpunim me Bulgargastrans të çlirojmë një pjesë të kapaciteteve të gazsjellësit që kemi me Bullgarinë, i cili është plotësisht i marrë me qira nga Gazprom, atëherë do të jemi në gjendje të furnizohemi me gaz nga Azerbajxhani apo Turqia, nëse Rusia ndalon dërgesat tona të gazit” tha Bekteshi.

Ministri Bekteshi gjithashtu informoi se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka dhënë dje 100 milionë euro për likuiditetin e SH.A. EMV në mënyrë që gjatë vitit të ketë fonde për të blerë energji elektrike nëse ka mungesë dhe për të blerë qymyr dhe mazut për objektet e prodhimit vendas të energjisë elektrike.

“Do të blihet energjia elektrike, por edhe qymyr dhe mazut. Është planifikuar që të funksionojnë të tre blloqet në TEC Manastir, TEC Osllomej, TEC Negotinë dhe për momentin duhet të ruajmë kapacitetet hidroenergjetike që të kemi energji elektrike për periudhën e dimrit”, tha ministri.

Lidhur me paketën e masave kundër krizës që u njoftua, ministri Bekteshi informoi se Ministria e Financave është duke përgatitur një paketë të re masash, e cila do të fillojë të zbatohet në shtator dhe do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit dhe do të jenë të destinuara për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.

“Në vazhdimësi po marrim masa që të mos rriten çmimet e produkteve ushqimore bazë, siç janë masat që i miratoi Qeveria në seancën e kaluar me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, siç është ndalimi i eksportit të produkteve të caktuara dhe heqja e detyrimeve doganore. Për masat direkte si mbështetje direkte, Ministria e Financave është drejt fundit të hartimit të një pakete të re masash në bashkëpunim me Odat Ekonomike. Sipas mundësive që ka shteti, masat do të destinohen për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Një mbështetje e tillë do të ketë dhe ndoshta do të fillojë të realizohet nga shtatori”, tha Bekteshi.

Ministri Bekteshi gjithashtu informoi se javën e ardhshme, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, në Tiranë do të zhvillohen takime pune me ministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, ku do të diskutohen dhe propozohen masat për plotësimin e nevojave për ushqim dhe energji elektrike për qytetarët e vendeve të rajonit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu