‘Lufta’ mes policisë dhe protestuesve ditën e djeshme në protestën kundër tarifës së rrugës së Kombit ka qenë e ashpër, ku ‘arma’ më e përdorur kanë qenë gurët.
Por duket se gurët nuk i kanë përdorur vetëm protestuesit, por edhe policia u është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë atyre.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar ditën e sotme një video gjatë protestës, ku forcat e policisë duken që qëllojnë me gurë në drejtim të tyre.
“Shikoni se si gangsteret me uniforme te narkopolicise nxisin qytetaret qe te gjuajne me gure! Sb”, -shkruan Berisha në profilin e tij në ‘Facebook’, duke publikuar videon në fjalë.
Kryeministri Edi Rama, në një dalje për mediat ditën e sotme tha se policia ka ruajtur qetësinë, ndërsa protestuesit i ka quajtur vandalë.
Pas mesnata, forca të shumta policia kanë nisur aksione për arrestimin e protestuesve, të cilët ditën e djeshme i vunë zjarrin kabinës ku janë të vendosur makineritë që do të paguhet taksa.
Qindra banorë morën pjesë në këtë protestë, ku kanë kundërshtuar vendosjen e tarifës për këtë rrugë, duke e cilësuar si të lartë.
Tarifat për të kaluar variojnë prej 5 euro deri në 44 euro.










