Besimi: Punësimet e reja nuk varen nga Ministria e Financave

Ministri i financave, Fatmir Besimi ka theksuar se punësimi në institucionet shtetërore dhe publike duhet të realizohet në bazë të mjeteve të siguruara për punësime të reja dhe planit të punësimit të institucionit dhe procesi të menaxhohet nga titullari i institucionit.

Ai këtë e deklaroi në përgjigje të një pyetjeje parlamentare në Kuvend.

“Bëhet fjalë për një proces që duhet të zhvillohet mbi bazën e burimeve të siguruara financiare në mënyrë që të funksionojnë të gjitha institucionet, por drejtuesit e atyre institucioneve duhet ta kenë parasysh këtë gjatë vitit dhe ta menaxhojnë në atë mënyrë që atje të mos ketë ndërprerje në funksionimin e atyre institucioneve”, tha ministri Besimi dhe shtoi se nëse sigurohen mjete, që është një nga kushtet dhe nëse ai punësim është planifikuar në planin e punësimit, atëherë jepet një përgjigje pozitive, dmth. raportohet nga Ministria e Financave se janë siguruar mjete për punësimet e kërkuara.

Në këtë mënyrë, theksoi ministri, sigurohet konsolidimi fiskal apo qëndrueshmëria e buxhetit.

Ministri sqaroi se në këtë proces Ministria e Financave vepron në përputhje me Ligjin për Buxhetin dhe Ligjin për Ekzekutimin e Buxhetit dhe si departament në procesin e dhënies së pëlqimit për planin e punësimit vepron pasi të ketë pëlqimin e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Ministrisë së Sistemit Politik.

“Ministria e Financave nuk ka as autoritet, as kompetencë, as kapacitet për të dhënë pëlqim për punë individuale, pra punësime individuale. Është përgjegjësi e vetë institucioneve dhe e drejtuesve në ato institucione se si do t’i zbatojnë ato procedura. Por Ministria e Financave në atë rast jep njoftim nëse institucioni ka siguruar mjete financiare në buxhet për atë pozitë dhe nëse është në përputhje me Planin e Punësimit”, ka theksuar ministri Besimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu