Presidenti i SHBA-së Joe Biden vlerësoi sot tërheqjen e Turqisë nga Konventa e Stambollit për të Drejtat e Grave si thellësisht zhgënjyese dhe si një hap prapa në përpjekjet për të ndaluar dhunën ndaj grave.
Vendet duhet të punojnë për të forcuar dhe rinovuar angazhimin e tyre për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, në vend që të hedhin poshtë traktatet ndërkombëtare të krijuara për të mbrojtur gratë dhe për t’i bërë autorët e krimeve të përgjegjshëm, tha Biden në një deklaratë.
Ky është një hap dekurajues prapa për lëvizjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave në nivel global, theksoi Biden.
Turqia u tërhoq dje nga Konventa e Stambollit për të Drejtat e Grave, e cila synon të mbrojë gratë nga dhuna. Siç thuhet, vendimi për t’u larguar nga Konventa e Stambollit u mor në një kohë kur numri i grave të vrara është rritur për vite me radhë, gjë që shkaktoi indinjatë të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe kritika ndaj Bashkimit Evropian.









