Bideni konfronton Putinin në bisedën e parë telefonike

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar të martën bisedën e tij të parë telefonike me homologun rus, duke u konfrontuar me Vladimir Putinin për një mori çështjesh, nisur prej sulmeve masive kibernetike deri te helmimi i figurës më të shquar opozitare të vendit.

Biseda përkon me përpjekjen e theksuar të Bidenit për hapje diplomatike me njërin prej kundërshtarëve të tij kryesorë, të cilin ai e kishte takuar më herët, por nuk kishte pasur relacione të drejtpërdrejta me të.

Sekretarja për shtyp e Bidenit, Jen Psaki, ka thënë se ai e nisi telefonatën me synimin që të diskutojë rreth traktatit bërthamor “New START”, të cilin administrata e re synon që ta zgjasë; agresionit rus në Ukrainë; sulmit kibernetik “SolarWinds”, shtrirja e të cilit ende nuk është përcaktuar, për raportet se Rusia ka vendosur kufij rreth trupave amerikane që shërbejnë në Afganistan; ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së; dhe helmimit të Alexei Navalnyt.

“Synimi i tij ishte gjithashtu që të bënte të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë me vendosmëri në mbrojtjen e interesave tona kombëtare në kundërpërgjigjen ndaj veprimeve malinje të Rusisë”, ka thënë Psaki.

Lista e gjatë e temave në bisedën e parë të Bidenit me Putinin i ilustron marrëdhëniet e tensionuara shtetërore midis Washingtonit dhe Moskës, të cilat ai i ka trashëguar nga administrata e mëparshme.

Bideni ka akuzuar pararendësin e tij, Donald Trump, se ka qenë tepër i butë me Rusinë, me ç’rast e kishte cilësuar atë si “një kukull të Putinit” gjatë debateve të përgjithshme parazgjedhore.

Biden synon një qëndrim më të sertë kundruall Putinit, kanë thënë zyrtarët. Ai ka kërkuar një rishikim të hollësishëm nga agjencitë e administratës për sa u përket çështjeve që ndërlidhen me Rusinë dhe mund madje t’i vendosë sanksione të reja vendit. Por ka hapur gjithashtu mundësinë për diplomaci në rrafshin e traktatit bërthamor, duke sugjeruar se është i gatshëm për jetësimin e një marrëdhënieje funksionale me Putinin.

“Mendoj se që të dy mund të operojmë sipas interesave të vendeve tona, në kuadër të marrëveshjes së re START, dhe ta sigurojmë Rusinë se jemi tejet të shqetësuar për sjelljen e saj, qoftë për Navalnin, SolarWindsin apo raportet rreth kufijve vendosur amerikanëve në Afganistan”, ka thënë ai gjatë së hënës. “U kam kërkuar agjencive kompetente që të m’i shpalosin në hollësi të gjitha këto çështje, të më informojnë se ku saktësisht qëndrojmë, dhe ju siguroj se nuk do të hezitoj që t’i ngre këto çështje me rusët”, ka thënë ai.

Biseda e së martës ka ndodhur me kërkesë të Rusisë, ka bërë të ditur një burim i afërt me çështjen, i cili ka thënë se Bideni ka dashur që të konsultohet me liderët në Evropë dhe këshilltarët e tij para se ta realizojë telefonatën me Bidenin. Kremlini ka kërkuar telefonatën pak kohë pasi që Bideni e mori detyrën javën e shkuar, gjë kjo që është standarde për liderët e huaj që synojnë të mbajnë komunikime me presidentin e ri.

Bideni ka zhvilluar të martën edhe një telefonatë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në kuadër të një bisede simbolike lidhur me rolin e mbrojtjes së bllokut karshi agresionit rus në Evropë. Deri më tani, Bideni ka biseduar edhe me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke e rrahur me të gjitha temën e Rusisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu