Borislavova: Do ta mbrojmë interesin bullgar deri në fund, çështja me Maqedoninë duhet diskutuar më konkretisht

Shefja e kabinetit politik të kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, Lena Borislavova, pas këshillit të jashtëzakonshëm të koalicionit të mbrëmshëm ku u diskutua për marrëdhëniet me Maqedoninë, tha se pjesëmarrësit ranë dakord se është më e rëndësishme që Bullgaria të ketë një konsensus të gjerë për këtë çështje, gjë që konfirmoi qëndrimin e të gjithë qeverisë se kjo temë duhet të kalojë domosdoshmërisht nga Kuvendin kombëtar.

Sipas korrespondentit të Agjencionit Informativ të Maqedonisë, Borislavova tha se diplomatët në Ministrinë e Jashtme bullgare do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive dhe të përpiqen të mbrojnë interesin bullgar.

Takimi në ndërtesën e Qeverisë bullgare u zhvillua me kërkesë të kryeministrit Kiril Petkov drejtuar presidentit Rumen Radev për të thirrur Këshillin për Siguri Kombëtare për gjendjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë.

Borislavova tha se koalicioni qeverisës në Bullgari ka pasur një dialog konstruktiv për këtë temë, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për shoqërinë bullgare.

E pyetur nëse Radev dhe Petkov kanë biseduar për Maqedoninë, ajo është përgjigjur se “një bisedë e tillë nuk është bërë, por të dy janë në dialog” dhe shtoi se “qeveria dhe kabineti nuk do të jenë ata që do të tradhtojnë interesin kombëtar bullgar”.

Në lidhje me atë se kur parlamenti mund të diskutojë për Maqedoninë, Borislavova tha se “kur të ketë një vendim dhe një raport nga Ministria e Punëve të Jashtme që raporton për ecurinë e qëndrimit bullgar, atëherë do t’i paraqitet një propozim Kuvendit Popullor dhe në këtë fazë nuk është arritur ende në atë pikë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu