Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të kërkojë sërish rritjen e mbështetjes ushtarake për vendin e tij, në një kohë kur si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë shtuar sulmet me dronë dhe raketa.
Ndërkohë, negociatat e udhëhequra nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës mbeten në ngërç, ndërsa vëmendja e Washingtonit është përqendruar te konflikti me Iranin.
Zelensky do të vizitojë një bazë detare britanike së bashku me kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Burnham, ku do të takohet me ushtarakë britanikë dhe ukrainas të përfshirë në stërvitjen e forcave ukrainase.
Zyra e kryeministrit britanik bëri të ditur se Burnham do të riafirmojë “lidhjen e pathyeshme mes dy vendeve”, duke përsëritur mesazhin që i dha Zelensky-t menjëherë pasi mori detyrën më 20 korrik.
“Britania qëndron krah Ukrainës dhe mbështetja jonë mbetet e palëkundur. Rusia duhet ta dijë se nuk do të tërhiqemi derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe afatgjatë për Ukrainën“, deklaroi Burnham.
Pas mbërritjes në Britani, Zelensky e cilësoi partneritetin mes dy vendeve si “marrëdhënien më të fortë në historinë e tyre”.
Një nga njoftimet më të rëndësishme të Londrës është se Britania do t’i ndajë Ukrainës teknologjinë e sistemit të ri elektronik “Stone Cloak”, i cili është testuar në fushën e betejës.
Pajisja, me përmasa sa një tablet dhe e montuar në dronë, pengon sistemet ruse të mbrojtjes ajrore të zbulojnë dhe godasin dronët gjatë fluturimit. Sipas qeverisë britanike, kjo teknologji është zhvilluar falë bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në kuadër të marrëveshjes së partneritetit 100-vjeçar të nënshkruar vitin e kaluar.
Mijëra pajisje të tilla janë dërguar tashmë në Ukrainë për të ndihmuar forcat e saj të vazhdojnë operacionet me dronë. Pas prodhimit në masë në Ukrainë, sistemi “Stone Cloak” do të përdoret edhe në gjeneratën e ardhshme të armëve britanike me rreze të gjatë veprimi.
Burnham tha se kjo teknologji përfaqëson “inovacionin më të mirë britanik” dhe do të jetë thelbësore për sigurinë e të dy vendeve.
Zelensky kërkon marrëveshje të re për dronët
Në një intervistë për Sky News, Zelensky deklaroi se dëshiron të hapë “një faqe të re” në bashkëpunimin me Britaninë, duke nënshkruar një marrëveshje të re për prodhimin e dronëve dhe ndërtimin e një fabrike dronësh në territorin britanik.
“Ne jemi gati të ndajmë gjithë përvojën tonë me Britaninë dhe shpresojmë që edhe ajo të bëjë të njëjtën gjë. Kjo marrëveshje për dronët duhet të jetë shumë e fortë”, u shpreh ai.
Presidenti ukrainas pranoi se vendi i tij nuk ka mjaftueshëm raketa për t’u mbrojtur nga raketat balistike ruse, të cilat kanë ushtruar presion të madh mbi sistemet e mbrojtjes ajrore.
“Rusia mund ta rrisë prodhimin e raketave balistike, prandaj ne kemi nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Zelensky.
Gjatë vizitës në Britani, ai dhe Burnham do të takohen edhe me rreth 200 ushtarakë dhe marinarë ukrainas, të cilët prej tre javësh ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar duke marrë pjesë në stërvitje për sigurinë detare dhe çminimin, në përgatitje për misione të ardhshme në Detin e Zi.
Qeveria britanike theksoi se mbështetja totale e Londrës për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus ka arritur në 25 miliardë paund (rreth 33 miliardë dollarë), prej të cilave 16 miliardë paund janë ndihmë e drejtpërdrejtë ushtarake.
Takimi me Trump në Washington
Pas vizitës në Britani, Zelensky pritet të udhëtojë të martën në Uashington, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.
Ai gjithashtu pritet të marrë pjesë në ceremoninë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham, një mbështetës i njohur i Ukrainës, i cili ndërroi jetë në fillim të këtij muaji.
Marrëdhënia mes Trump dhe Zelensky-t ka kaluar nga tensionet e forta, përfshirë përplasjen e tyre në Shtëpinë e Bardhë në shkurt 2025, drejt një bashkëpunimi më të ngushtë muajt e fundit.
Gjatë samitit të NATO-s këtë muaj, Trump i dha Ukrainës leje për të prodhuar sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot të projektuara nga SHBA-të, të afta të rrëzojnë raketat balistike. Në të njëjtën kohë, në Washington po ecën përpara edhe një projektligj dypartiak që synon vendet që vazhdojnë të blejnë energji nga Rusia, duke rritur presionin ndaj Moskës.
Megjithatë, Trump po përballet me presion të madh brenda SHBA-ve për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili sipas tij i ka kushtuar Amerikës 37.5 miliardë dollarë dhe ka ngritur shqetësime për pakësimin e rezervave të armëve.
“Unë e kuptoj që Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara te Lindja e Mesme“, tha Zelensky për Sky News.
“Po përpiqem ta menaxhoj këtë situatë së bashku me partnerët evropianë, me amerikanët dhe me vende të tjera. Për mua, kjo është një sfidë shumë e madhe për Ukrainën.”










