Britanikët: Xhaka dhe Shaqiri rrezikojnë dënim nga FIFA sepse bënë shqiponjën

Festa e shqiptarëve Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri me shqiponjë ka rënë në sy edhej të medieve perëndimore. Portalet britanike shpjegojnë festën e tyre duke sqaruar se origjina e të dy lojtarëve që luajnë për Stoke dhe Arsenal janë nga Kosova e cila është shkëputur pas një lufte të ashpër nga Serbia.

“The Sun” shkruan se si Xhaka dhe Shaqiri festuan pas golave me Serbinë duke treguar simbolin e shqiptarëve duke imituar me gishta shqiponjën që ndodhet në flamur.

“Daily Star” nënvizon se imitimi i shqiponjës me dy koka ka provokuar mjaft në Serbi duke bërë që kjo e fundit të kërkojë dënimin e tyre nga FIFA për shkelje të rregullores së Fair Play.

Ndërsa britanikja “Metro” citon se rregullat e FIFA-s janë të qarta në këtë pikë pasi dënojnë çdolloj deklarate apo qëndrimi politik që mund të bëhet gjatë festimeve në fushë.

“The Times” i ka kushtuar një shkrim të gjatë kësaj përballjeje me titullin “Kosovaro-zviceranët dhe një ndeshje urrejtjeje kundër serbëve të zemëruar”. Aty nënvizohet se edhe vendimi i Shaqirit për të mbajtur flamurin e Kosovës në atlete është konsideruar si “provokuese” në Serbi.

“Mirror” gjithashtu shkruan se të dy lojtarët mund të kenë telashe me FIFA-n për shkak të gjestit të tyre pasi ai mund të interpretohet “me motive politike” dhe kjo është e ndaluar.

Mbetet për tu parë nëse do të ketë sanksione nga FIFA për dy shqiptarët. Mediat serbe kërkuan menjëherë ndërhyrjen e FIFA-s, por ende nuk është e qartë nëse do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu