“Britmat” e shqiptarëve për drejtësi nuk i dëgjon Komisioni Evropian

Analisti dhe gazetari i njohur, Emin Azemi në shkrimin e tij të fundit autorial për gazetën Koha, ka analizuar Raportin e Progresit të Komisionit Europian në sferën e drejtësisë, transmeton InfoShqip.

“Sa i përket sistemit të drejtësisë, Raporti i Progresit i Komisionit Europian kishte mjaft vërejtje dhe ato lidheshin kryesisht me stadin e ulët të reformave dhe me ndikimin e politikës në gjyqësor. Por në këtë Raport Progres askund nuk u adresuan kritika konkrete sa i përket proceseve të montuara, të cilat kanë qenë me bollëk këto vite. Të flasësh për një sistem të pareformuar që qenka ende i ndikuar nga politika dhe të mos përmendësh produktet e këtij deformiteti, siç janë rastet e montuara dhe të procesuara në mënyrë skandaloze nga ana e gjykatave të Maqedonisë, paraqet ose mungesë vëmendjeje, ose ndonjë standard vlerësimi, të cilin ende nuk kemi arritur ta kuptojmë”, shkruan në analizën e tij, Emin Azemi.

Sipas tij, ajo që mbetet e pakuptuar vazhdon të tingëllojë si apel i munguar i Komisionit Europian drejtuar gjykatësve dhe prokurorëve të Maqedonisë të cilët pa iu lëviz qerpiku shqiptojnë dënime skandaloze, të cilat më vonë rezultojnë se kanë qenë të bazuara mbi konstruksione të montuara nga njerëz misterioz të shtetit, ose kanë qenë të sajuar me argument të pamjaftueshme.

“Si ka mundur t’iu shpëtojë “rasti i Almir Aliut” autorëve të Raportit të Progresit? Si ka mundur t’iu shpëtojë “rasti Monstra”? “Rasti Alfat”? “Sopoti” etj”, pyet Azemi, për të sqaruar se po flitet për çështje konkrete që zbërthejnë amoralitetin e një sistemi që (pa)drejtësinë e vendos mbi parime arbitrare, të njëanshme dhe selektive.

“Shumica e këtyre rasteve të montuara kanë qenë dhe do të jenë të zbardhur nga përgjimet që u denoncuan nga kryeministri i tanishëm Zoran Zaev, i cili kur ishte lider opozitar apelonte dhe kërkonte një sistem drejtësie të pakomprometuar. Shumica e këtyre rasteve kanë për protagonistë shqiptarët si viktimë dhe askush në Bruksel nuk duhet të hezitojë ta quaj antishqiptar sistemin e drejtësisë në Maqedoni, sepse shqiptarët në këtë shtet paraqesin faktor të rëndësishëm politik, ekonomik, demografik etj. dhe tingëllon cinike të kamuflohen problemet në emër të njëfarë diplomacie të ekuilibruar, ndërkohë që problemet kanë emër dhe mbiemër, kurse bartësit e deformimeve jo vetëm që nuk duhet të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre, por ata duhet edhe të japin përgjegjësi për harbutëritë e tyre”, shkruan në shkrimin e tij, analisti Emin Azemi.

Ai thekson se Maqedonia ka sistem drejtësie të pareformuar, këtë e dinë edhe zogjtë e malit, por kjo nuk mjafton të mbetet vetëm në suaza të konstatimeve dhe më së paku të trajtohet si një çështje që ka afat më të gjatë për t’u zgjidhur.

“Nuk mjafton të flitet përgjithësisht dhe të mos i vihet gishti plagës, sepse në këtë mënyrë inkurajohen ata që kanë shkaktuar plagë. Dhjetëra shqiptarë po vuajnë pasojat e këtyre plagëve që pamëshirshëm i shkaktuan një tufë prokurorësh e gjyqtarësh të papërgjegjshëm dhe çuditërisht të njëjtit mbetën të pa fokusuar nga reflektorët e Brukselit. Ndoshta, në të ardhmen kjo do të ndodhë… Nuk i dihet… Por një punë dihet. Brukseli ka halle shumë dhe duhet t’i ndihmojmë në detektimin e atyre pikave problematike që nuk mund t’i vërejë”, shkruan Azemi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu