Ish-kryeministri Vlado Buçkovski në një intervistë ekskluzive për Albanian Post ka thënë se kredibilieteti i Bashkimit Evropian “do të jetë në pikëpyetje nëse dështon me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.
“BE-ja përbën bllokun më të fuqishëm ekonomik në botë, një nga katër shtyllat kryesore politike të globit, dhe natyrisht që, nëse dështon në përpjekjet e saj në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në çështjet tjera në rajonin tonë, njerëzit do të ngrenë shumë pikëpyetje mbi atë çfarë vërtet përfaqëson sot BE-ja”, thotë Buçkovski.
Me 18 shtator Albanian Post publikoi një dokument që përmban kornizën e re franko-gjermane.
Sipas saj, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.
Në këtë iniciativë të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pesë anëtarë të BE-së, Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia, duhet ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës.
Kur ka folur për propozimin e lartcekur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Buçkovski vuri në pah që kjo do të jetë “prova më e madhe për BE-në”.
“BE-ja duhet të demonstrojë unitet, përtej gjërave lokale dhe interne, si në raport më Kosovën ashtu edhe më çështjet tjera në rajon”.
I dërguar special i Maqedonisë Veriore për çështjen e kontestit me Bullgarinë, theksoi po ashtu në këtë intervistë për AP-në se në funksion të rikthimit themelor të kredibilitetit të BE-së janë hapja përfundimtare e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, rekomandimi i kushtëzuar për statusin kandidat të Bosnjë-Hercegovinës dhe heqja e vizave për Kosovën.










