Artan Fejza, drejtor i Prokurimit në Policinë e Kosovës, i cili po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit, dyshohet se është i përfshirë edhe në një tender fitues i të cilit ishte shpallur dhëndri i tij.
Fjalë është për një tender të Policisë së Kosovës për blerjen e pesë autobusëve në vlerë të parashikuar prej 1.2 milion eurosh, për të cilin ishte shpallur fituese kompania “Ideal Shala B.I.”, pronë e Ideal Shalës, i cili, sipas burimeve të Kallxo, është dhëndri i Artan Fejzës (burri i motrës).
Tenderi, i hapur në shtator të vitit 2023, kaloi nëpër disa vlerësime, ankesa dhe ndryshime të vendimeve, ndërsa përkundër shpalljes së kompanisë fituese, kontrata nuk u nënshkrua asnjëherë.
Pas afro dy vjetësh, Policia e Kosovës e anuloi përfundimisht procedurën.
Burimet e mediumit bëjnë të ditur se ky tender është njëri nga rastet që po trajtohen në kuadër të hetimeve të IPK-së ndaj Fejzës.
Hetimet, sipas këtyre burimeve, përfshijnë edhe tenderë të dhënë përmes negocimit për furnizim me ushqim dhe pjesë të automjeteve të Policisë, si dhe procedura që lidhen me tenderët sekretë të këtij institucioni.
Në dosjen e tenderit për autobusët, emri i Artan Fejzës figuron në dokumentin me të cilin ishte nisur procedura, si dhe në dokumentin kur ishte shpallur operatori fitues.
Aktiviteti i prokurimit me emërtimin “Furnizim me autobusë për Policinë e Kosovës – Ritender 1” ishte publikuar më 21.09.2023, me vlerë të parashikuar prej 1 milion e 200 mijë eurosh. Policia kishte paraparë blerjen e pesë autobusëve. Në këtë tender kishin marrë pjesë katër kompani.
Megjithatë, gjatë vlerësimit tri prej tyre ishin eliminuar, ndërsa si ofertuesi i vetëm i suksesshëm ishte shpallur “Ideal Shala B.I.”, me ofertë prej 1 milion e 188 mijë e 850 eurosh.
Ndërkohë, procedura ishte shoqëruar me disa ndërprerje dhe ankesa.
Më 05.10.2023 ishte publikuar njoftimi për pezullimin e tenderit, ndërsa një ditë më vonë Policia kishte publikuar dosjen e korrigjuar të tij.
Më 01.12.2023 ishte publikuar vendimi për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim të paraqitur lidhur me këtë tender. Dhjetë ditë më vonë, më 11.12.2023, kompania “Prishtina Auto LLC” kishte dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, në gusht të vitit 2024 ishte publikuar njoftimi për dhënie të kontratës, me të cilin “Ideal Shala B.I.” ishte shpallur fitues. Megjithatë, kontrata nuk ishte nënshkruar.
Më 26.11.2025, në platformën e e-Prokurimit u publikua njoftimi përfundimtar për anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Kështu, një tender prej 1.2 milion eurosh, në të cilin ishte shpallur fituese kompania e një familjari të drejtorit të Prokurimit në Policinë e Kosovës, përfundoi pa u nënshkruar kontrata.
Drejtori i Prokurimit në Policinë e Kosovës dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit publik. Dyshimet lidhen me dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Për këtë arsye, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar sot më 05.11.2026 Policisë së Kosovës suspendimin e tij nga detyra deri në përfundim të hetimit penal.
Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit e këtij institucioni janë duke zhvilluar hetim paraprak ndaj drejtorit të Prokurimit, ndërsa në fokus të hetimeve janë dhjetëra kontrata të prokurimit.
IPK ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar vendimmarrjen, mënyrën e zhvillimit të procedurave të prokurimit, si dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.
Rekomandimi për suspendim, sipas IPK-së, është bërë me qëllim të garantimit të integritetit dhe mbarëvajtjes së procesit hetimor.
Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa IPK ka bërë të ditur se, për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, në këtë fazë nuk mund të ofrojë detaje të tjera për rastin.










