Portieri veteran Gianluigi Buggon raportohet se nuk është duke planifikuar të pensionohet ende, mirëpo, përkundrazi, thuhet se ai dëshiron ta rinovojë kontratën e tij me Juventusin deri në vitin 2021.
Sonte, 41-vjeçari pritet ta barazojë rekordin e Paolo Maldinit prej 647 ndeshjeve të luajtura në Serie A dhe Calciomercato raporton se ai mund ta rritë këtë rekord për një shumë më të madhe pasi që dëshiron kontratë të re me bardhezinjtë.
Kontrata aktuale e Buffonit do të përfundojë në qershor të vitit 2020, mirëpo mediumet italiane raportojnë se edhe Juventusi dëshiron ta mbajë edhe më tutje italian, për shkak të ndikimit që ai e ka në zhveshtoren e stadiumin Allianz.
Juventusi për momentin është në krye të tabelës së Serisë A për shkak të dallimit në gola, pasi që ka baras pikë të grumbulluara deri më tani me Interit, mirëpo do të tentojë ta përforcojë këtë pozitë sonte kundër Sampdorias, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 17-të.
Buffoni ka luajtur në gjashtë ndeshje të këtij sezoni, pasi që Wojciech Szczesny e mban pozitën e portierit të parë në Juventus, edhe pas kthimit të Buffonit nga Paris Saint-Germaini.










