“Bullgaria e shkeli marrëveshjen për fqinjësi”, Bërns: Maqedonia ta marrë vendin e merituar në BE

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov me kritika ndaj Bullgarisë për shkelje të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë. Ky reagim vjen pasi pala bullgare vazhdimisht e akuzon Maqedoninë për mosrespektim të kësaj Marrëveshjeje edhe përkundër përkushtimit të saj dhe pranimit të kërkesave të Sofjes zyrtare që janë jashtë Marrëveshjes. Së fundmi, edhe SHBA-të u kyçën në procesin e tejkalimit të kontestit që e imponoi Bullgaria. Dimitrovi thotë se SHBA-të punojnë në mënyrë aktive për t’i zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, nga të cilat varet integrimi evropian i vendit. Maqedonia dëshiron zgjidhje, por e njëjta nuk duhet të bazohet në shantazhe, shton ai.

“Bullgaria e shkeli Nenin 2 të Marrëveshjes, në të cilin shkruan se Sofja do të na ndihmojë në rrugën tonë evropiane, nuk do të na pengojë dhe se nuk do të na bllokojnë. Ne përjetuam dy veto, përjetuam edhe problematizimin e diçkaje që është shumë e brendshme – gjuhës sonë, gjuhës maqedonase në nivel evropian dhe në këtë drejtim këta hapa bënë që dialogu i vërtetë dhe i sinqertë të jetë shumë i vështirë”, tha Dimitrov.

Ambasadorja e SHBA-ve Kejt Meri Bërns konfirmon se ata kyçen në këtë çështje dhe në negociatat. E ndajmë të njëjtin vizion që Maqedonia e Veriut ta marrë vendin e merituar në BE-në dhe shpresojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

“Ne e shohim të ardhmen e Maqedonisë në BE-në dhe e konfirmojmë rëndësinë për zgjidhjen e çështjeve duke shpresuar se do të vazhdojë deri në fund të vitit, vazhdojmë me biseda me të gjithë partnerët, bisedë me Qeverinë, këtu në Shkup, biseda me vendet fqinje dhe në Evropë për të bërë gjithçka që mundemi për ta përkrahur ecjen e procesit përpara”, tha Kejt Meri Bërns.

Këto ditë me reagim doli presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev i cili akuzoi se Maqedonia nuk e zbaton Marrëveshjen. Menjëherë pas kësaj kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se nga përmendoret dhe librat mësimorë do të fshihet fjala “okupator fashist bullgar”, pas çka kishte shumë reagime se është e palejueshme fshirja e historisë.

“Është tronditëse. Le të shkojë dhe le t’u tregojë këtë gjë nipërve, djemve dhe vajzave, njerëzve që jetën e humbën në Treblinkë, kur ishin arrestuar dhe vendosur në vagonë nga ana e okupatorit fashist bullgar. Ata ishin fashistë, ne kemi luftuar kundër tyre dhe në vend të kërkojnë që t’i fshijmë librat mësimorë, duhet të vijnë këtu dhe t’i kërkojnë falje këtij populli”, tha Mickoski.

Reagimet e Bullgarisë u ashpërsuan pas vizitës së fundit të eurokomisarit Varheji në Sofjen zyrtare që ndodhi këto ditë, veçanërisht pas paralajmërimit se në zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë kyçen edhe SHBA-të.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu