Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Të tre sipas aktakuzës ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, në aktakuzë thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Tom Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tri vjet.
Vrasja e Ademajt nxiti reagim publik, sidomos kur u ngritën dyshimet se ishte porositur nga bashkëshorti i saj, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit të saj. Familja, më pas, kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj, për ta rivarrosur në varrezat e familjes Ademaj. Pak ditë pas vrasjes, në Prishtinë u mbajt marsh protestues, teksa protestë në numër më të vogël të njerëzve u zhvillua edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010 – në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. Më 12 prill 2024, Erona Cokli, 21-vjeçare, u vra nga bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Katër ditë më vonë, më 16 prill, po nga bashkëshorti u vra edhe 43-vjeçarja Gjyljeta Ukella, në Pejë.










