Samiti i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian në Bruksel, që synonte arritjen e një kompromisi për buxhetin shtatëvjeçar prej rreth 2.000 miliardë eurosh, përfundoi pa marrëveshje dhe me përplasje të forta mes liderëve evropianë.
Danimarka, Gjermania, Holanda, Austria, Finlanda, Suedia dhe Belgjika bojkotuan vazhdimin e negociatave në grupe të vogla, duke kundërshtuar mënyrën e drejtimit të tyre nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Costa kishte propozuar shkurtimin e buxhetit për 204 miliardë euro, ndërsa vendet që kërkojnë reduktimin e shpenzimeve insistojnë në shkurtime prej rreth 250 miliardësh.
Në anën tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi reduktimin e buxhetit si gabim strategjik që do të dobësonte konkurrueshmërinë e Evropës përballë SHBA-së dhe Kinës.
Edhe shtetet baltike kundërshtuan propozimin për shkurtimin e fondeve të mbrojtjes me 39 miliardë euro, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do t’i dërgonte sinjal të gabuar Rusisë.
Ndërkohë, disa diplomatë evropianë kërkojnë që ndërmjetësimin në negociata ta marrë përsipër dikush tjetër, por jo shkarkimin e Costas nga posti i presidentit të Këshillit Evropian.
Përpjekja e radhës për arritjen e marrëveshjes pritet më 17 dhjetor. Miratimi i buxhetit kërkon pajtimin e të gjitha 27 vendeve anëtare dhe pëlqimin e Parlamentit Evropian./Index.hr / Politico/










