Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në seancën e posaçme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në Strasbourg, kushtuar zhvillimeve të fundit në Turqi dhe kontributit të Këshillit të Europës në përballimin e pasojave të tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të kaluar.
Ministrat e pranishëm shprehën solidaritetin e vendeve anëtare të Këshillit të Europës me popullin turk dhe autoritetet e zgjedhura demokratikisht në Turqi. Ministrat shprehën vlerësimin për mbështetjen që Këshilli i Europës do t’i japë Turqisë për të kapërcyer sfidat me të cilat po përballet vendi.
Në kuadër të vizitës së tij në Strasburg, Ministri Bushati pati një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshilit të Europës, z. Thorbjørn Jagland.
Ministri shprehu vlerësimin e Qeverisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen teknike që Këshilli i Europës vijon t’i japë Shqipërisë në fusha të rëndësishme për proceset integruese. “Avancimi i Shqipërisë në fushën e sundimit të së drejtës është evident”, u shpreh z. Jagland.
Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të zbatimit të paketës kushtetuese dhe ligjore të reformës në Drejtësi, ku Këshilli i Europës gëzon një ekspertizë solide.
Një fushë tjetër bashkëpunimi të frytshëm është dhe ajo e trajtimit të cështjes së pronave. Sekretari i Përgjithshëm shprehu angazhimin për të vijuar mbështetjen e këtij procesi të rëndësishëm që tashmë ka hyrë në rrugën e një zgjidhjeje përfundimtare.
Një tjetër takim i rëndësishëm në kuadër të punimeve në Strasbourg ishte dhe ai me Komisionerin Europian Johannes Hahn në prag të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, që do të mbahet ditën e nesërme në Bruksel, për të vlerësuar ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Komisioneri Hahn vlerësoi miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtsi dhe atë të ligjit për “vetting”-un, çka dëshmon vullnetin e qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces./shqip