Bytyqi: Maqedonia do të ketë energji elektrike dhe ngrohje të mjaftueshme gjatë gjithë dimrit

Në kuadër të procesit të vazhdueshëm të dialogut dhe diskutimit ndërmjet Qeverisë dhe organeve tjera të administratës shtetërore me përfaqësues të sektorit të biznesit, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt seanca e rregullt e Komisionit për Dialog Publiko-Privat, e cila bashkë- i kryesuar nga zëvendëskryeministri, i ngarkuar për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimet, Fatmir Bytyqi.

Ai tha se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, do të ketë energji elektrike dhe ngrohje të mjaftueshme gjatë gjithë dimrit.

“Plani i prodhimit të SH.A. ESM për vitin 2022 është bërë me një rritje prej 25% në krahasim me vitin 2021 dhe me këtë ESM do të prodhojë të gjithë energjinë elektrike që u nevojitet qytetarëve dhe konsumatorëve të vegjël dhe nuk ka nevojë për blerjen e energjisë elektrike. Gjithashtu, do të vihen në funksion të gjitha objektet e prodhimit vendor dhe për këtë arsye i siguroj qytetarët se nuk kanë nevojë të shqetësohen, do të ketë energji elektrike dhe ngrohje të mjaftueshme gjatë gjithë dimrit”, tha Bytyqi.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Bytyqi i’u referua rregulloreve të reja për instalimin e paneleve diellore, me procedurë të thjeshtuar dhe rritje të gamës së prodhimit nga 4 në 6 kilovat për prodhuesit privatë ose nga 40 në 60 kilovat për objektet industriale.

Ai tha se vetëm në vitin 2022 ekonomisë i janë dhënë mbi 70 milionë euro mbështetje direkte financiare si ndihmë shtetërore, mjete këto që edhe në krizë janë rritur nga viti paraprak dhe nuk janë reduktuar me ribalancimin e buxhetit.

“Këto janë fonde që ndihmojnë likuiditetin e kompanive dhe që nuk duhen harruar sot kur flasim për marrëdhëniet e partneritetit dhe dorën e ndihmës në kohë krize”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi si dhe ministri Besimi rikujtuan thirrjen dhe rekomandimet për kursim si dhe sjellje të përgjegjshme nga të gjitha palët për të përballuar më lehtë krizën dhe për të parandaluar konsumimin e panevojshëm të energjisë elektrike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu