Polonia ka ngritur alarmin për kërcënim me raketa në dy provinca, Lublin dhe Podkarpackie, pas sulmeve të reja ruse ndaj Ukrainës perëndimore.
Ndërkohë, dronët e vërejtur mbi qytetin e Lvivit kanë bërë që avionët luftarakë polakë të ngrihen në ajër, në kuadër të masave për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Sipas raportimeve të mediave, zhvillimet e fundit të sigurisë vijnë në një kohë kur Rusia po vazhdon sulmet ndaj Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës.
Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, tre persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të fundit, ndërsa disa të tjerë janë plagosur.
Situata ka ngritur shqetësime edhe në Poloni, ku autoritetet kanë aktivizuar masat e sigurisë në provincat Lublin dhe Podkarpackie, të cilat ndodhen pranë kufirit me Ukrainën.
Ndërkohë, raportimet e mediave polake bëjnë të ditur se një raketë ruse është vërejtur rreth 100 kilometra larg zonës ku po zhvillohej stërvitja ushtarake Volenterosi.
Zhvillimet ushtarake në terren po ndodhin paralelisht me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Pas takimit trepalësh në Shenzhen, vijojnë diskutimet për ndërtimin e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa në tryezë janë paraqitur propozime të ndryshme.
Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kievit një propozim që përfshin mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, me kushtin që ajo të pranojë t’i lëshojë Rusisë territore ukrainase.
Megjithatë, ndërsa diskutimet diplomatike vazhdojnë, sulmet nga Moska dhe Kievi po shkaktojnë viktima të tjera dhe po shtojnë tensionet e sigurisë në rajon.










