Çeçenë në Kosovë? Një përgjigje Vuçiçit

Figura publike opozitare çeçene, Ahmed Zakayev dhe Dzhambulat Suleimanov mohuan përfshirjen në veprimet e një “grupi të caktuar të çeçenëve dhe çerkezëve” në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha më 21 gusht në Beograd se Serbia ka informacione se para përshkallëzimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë.

“Është regjistruar qëndrimi i një grupi që përfshinte Ahmed Ruslanovich Bahajev, Idriz Arzasanov, H.A. dhe M.A., persona të lidhur me Džabulat Sulejmanov dhe Ahmed Zakaev, kundërshtarë të njohur të Ramzan Kadyrov”, tha Vuçiç.

Kryeministri i Ichkeria-s së panjohur në mërgim, Ahmed Zakayev, i tha shërbimit të Kaukazit të Veriut se ai “nuk e di se për çfarë bëhet fjalë”.

Dzhambulat Suleimanov, kreu i komitetit çeçen të Fondacionit Shtetëror Tolam me bazë në Evropë, tha të njëjtën gjë.

“Unë mendoj se ky është një provokim nga Serbia, aleati i Rusisë,” sugjeroi ai.

Bashkëbiseduesit e Shërbimit të Kaukazit të Veriut në diasporën çeçene kanë deklaruar se nuk i njohin personat e përmendur nga presidenti i Serbisë në deklaratën e tij.

Vuçiç ka thënë se ata persona më 3 gusht janë takuar me shtetasin turk D.I.H në Zubin Potok, në veri të Kosovës.

Ai tha se detyra e tyre ishte të vëzhgonin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin ushtarë potencialë për të luftuar në Ukrainë. Ai nuk saktësoi nëse ai grup kishte ndonjë lidhje me përshkallëzimin e fundit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik.

“Ata shprehën interesim për gatishmërinë e serbëve për t’u përballur me autoritetet në Prishtinë, se si dhe në çfarë mënyre mund të ofrojnë informacione për shërbimet e tjera të inteligjencës së huaj për të neutralizuar grupet e armatosura të serbëve në veri të Kosovës”, tha Vuçiç.

Siç ka shpjeguar ai, ata kanë përdorur një veturë me targa të Novi Pazarit, qytet në jugperëndim të Serbisë, për të lëvizur nëpër Kosovë.

RSE ka dërguar një pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës nëse kanë informacione për hyrjen e tyre të pretenduar, por përgjigja nuk ka mbërritur deri në momentin e publikimit të këtij teksti.

Pretendimi i Vuçiçit për publikun erdhi pasi nuk u arrit një marrëveshje për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse në një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti më 18 gusht në Bruksel.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu