Çështja e Detit Shqipëri-Greqi, Dendias: Do të zgjidhet më herët nga se mendojnë, parimisht Rama është dakord

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, në një intervistë të dhënë për mediat greke është ndalur tek marrëdhëniet me Shqipërinë duke komentuar edhe çështjen e Detit.

Ai tha se vlerëson marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë, duke theksuar se këtë vit pritet të ketë zhvillime të reja lidhur me çështjen e Detit.

Gjatë kësaj interviste, Dendias sqaroi se kryeministri Edi Rama është dakorduar në parim lidhur me këtë çështje.
Më tej shtoi se marrëveshja është gjithashtu edhe një shembull për Turqinë.

Pjesë nga intervista:

Çfarë po bëhet me projektin e marrëveshjes? Do të zhbllokohet një moment?

Ministri Dendias: “Po”, do të zhbllokohet. Besoj më herët se sa e mendojmë. Historia e marrëveshjes në parim me Shqipërinë është diçka për të cilën unë jam veçanërisht i lumtur. Mund të them me krenari se Shqipëria ka rënë dakord në parim dhe këtu duhet të vendosim emër, Edi Rama u dakortësua në parim. Se si konkretisht do të specifikohet në draft projekti për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, do duhet ta shohim në kuadrin e autorizimit që do t’i jepet qeverisë Rama nga presidenti shqiptar. Por parimisht, marrëveshja është e shkëlqyer, një marrëveshje shembull për Turqinë. Sepse të mos harrojmë se Edi Rama është mik i ngushtë i presidentit Erdogan, Shqipëria është vend mik i Turqisë. Unë besoj se mund të jetë njësoj vend mik edhe i Greqisë. Nuk e konsideroj një lojë të shumëzuar me zero.

Gjithashtu ai foli edhe në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia. Dendias tha se Greqia e ka bërë të qartë se njohja përbën pjesë të zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Greqia përpiqet të luajë një rol pozitiv, të inkurajojë të dy palët të arrijnë në një zgjidhje të pranueshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por unë nuk do të mbaj “peng” politikën e jashtme të Greqisë, do të vijnë ministra të tjerë të Jashtëm, me qëndrimin e tyre politik. Ky është qëndrimi i përgjithshëm i sistemit politik grek, duhet të kontribuojmë për një zgjidhje, nuk mundet Ballkani të jetë në një destabilizim të vazhdueshëm”, ka thënë ndër tët tjera ai./albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu