Çfarë do të ndodhë me borxhet që qytetarët kanë në kompaninë e mbyllur të kredive të shpejta “Kredi Jes”?

Ministria e Financave ia ka hequr licencën shoqërisë financiare “Kredi Jes”, duke i vënë praktikisht çelësin një prej kompanive më të përhapura të kredive të shpejta në vend, shkruan InfoShqip.

Vendimi vjen pas një kontrolli të jashtëzakonshëm të kryer pas një ankese nga një qytetar, ku janë konstatuar parregullsi serioze në funksionimin e kompanisë. Nga Ministria e Financave ende nuk janë bërë publike detaje për shkeljet konkrete, por theksohet se bëhet fjalë për shkelje të dispozitave ligjore.

Me heqjen e licencës, mbyllen rreth 40 degë të “Kredi Jes” në të gjithë vendin, ndërsa mbi 100 punonjës mbeten pa punë. Kompania nuk do të ketë më të drejtë të lidhë kontrata të reja për kredi, por do të vazhdojë procesin e mbledhjes së kredive të miratuara më parë.

Ky zhvillim ka krijuar pasiguri te qytetarët që kanë kredi aktive në këtë kompani. Nga institucionet kompetente priten udhëzime shtesë lidhur me mënyrën e shlyerjes së detyrimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të klientëve.

“Kredi Jes” ishte pjesë e tregut të shërbimeve financiare që nga viti 2019 dhe konsiderohej si një kompani me rrjet të gjerë degësh dhe prani të konsiderueshme në segmentin e kredive të shpejta konsumatore. Vendimi për heqjen e licencës hap një kapitull të ri në rregullimin e këtij sektori, i cili në vitet e fundit ka shënuar rritje të shpejtë. /InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu