Nëse partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, do t’i mbahen marrëveshjes për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, ashtu siç u morën vesh më 31 gusht, atëherë më 12 tetor, Kuvendi duhet t’i caktojë zgjedhjet, ndërkaq më 21 nëntor duhet të fillojë fushata zgjedhore, njofton Portalb.
Sipas Kodit Zgjedhor, fushata zgjedhore fillon 20 ditë, përpara ditës së zgjedhjeve, ndërkaq edhe në rrethin e parë edhe në të dytin, mbaron 24 orë përpara ditës së votimit.
Fushata zgjatë vetëm tre javë që të zvogëlohen harxhimet dhe të krijohen mundësi të barabarta për kandidatët e pavarur. Për atë arsye, në vitin 2006 prej 30 ditë është shkurtuar në 20 ditë edhe fushata për zgjedhje lokale.
Derisa nuk fillon fushata zgjedhore (21 nëntor), Qeveri punon në normalitet.
Sipas ligjit për parandalim të korrupsionit, prej ditës së sjelljes së vendimit për caktimin e zgjedhjeve deri në mbarimin e zgjedhjes së deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe zgjedhjen e Qeverisë, pushteti ekzekutiv nuk guxon që me mjete buxhetore të fillojë ndërtim të infrastrukturës, si rrugë, ujësjellës, kanalizim, por as shkolla dhe çerdhe.
Fillimi i fushatës zgjedhore do të thotë se fillon të vlejnë rregulla të reja si për sjelljen e funksionarëve publike, por edhe për mediat, transmeton Portalb.
Prej atëherë, funksionarët janë vetëm “teknik”, ndërkaq nëse janë kandidatë për deputetë, ata kanë mundësi që për 20 ditë t’i bindin votuesit që përsëri të votojnë për ta. Edhe pse në Maqedoni, gjatë kohë nuk dihet se ku është kufiri mes funksionit publik dhe atij partiak, megjithatë sipas Kodit Zgjedhor janë të parapara disa rregulla të sjelljes për gjatë kohës së fushatës zgjedhore.
Çfarë nuk duhet të bëhet?
- Redaktorët, gazetarët, udhëheqësit e programeve dhe prezantuesit, nuk guxojnë të marrin pjesë në aktivitetet parazgjedhore të partive politike. (Nëse do të duan që të kyçen në fushatën e ndonjë partie, ata patjetër duhet që ta ngrijnë angazhimin e tyre deri në fund të zgjedhjeve);
- Anketat e mendimit publik për rezultatet zgjedhore publikohet më së voni pesë ditë përpara ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. (Gjatë publikimit të rezultatit, mediat janë të obliguara që ta vendosin emrin e porositësit që e ka kërkuar dhe e ka paguar sondazhin, institucionin që e ka kryer, metodologjinë e shfrytëzuar, madhësinë dhe strukturën e anketës dhe periudhën se kur është kryer anketa), përcjellë Portalb;
- Rezultatet prej inspektimit të mendimit publik të kryera në ditën e zgjedhjeve, nuk guxojnë të publikohen përpara orës 19, gjegjësisht përpara se të mbyllen kutitë në pikat zgjedhore;
- Tubimet parazgjedhore nuk guxojnë që të mbahen në, objekte ushtarake, fetare, spitale, shtëpi të personave të moshuar, shkolla, çerdhe të fëmijëve dhe institucioneve të tjera publike;
- Për nevojat e fushatës zgjedhore, nuk është e lejuar që të shfrytëzohen hapësirat, pajisjet dhe pronësi tjetër e cila është e siguruar për punën e organeve shtetërore dhe të organeve të komunave dhe të Qytetit të Shkupit.
Edhe pse fushata zgjedhore ende nuk ka filluar, megjithatë, ashtu si edhe në ciklet e kaluara zgjedhore, politikanët e shkelin Kodin Zgjedhor. Thuajse vazhdimisht ka konventa partiake, tribuna dhe takim me qytetarët. Edhe pse Kodi Zgjedhor parasheh që fushata të fillojë 20 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, megjithatë karvanët zgjedhore kanë nisur më herët në luftën për vota. Kjo praktikë te ne nuk është e re. Sipas ligjit, KSHZ, mund të fillojë procedurë për shkelje të ligjit kundër partive që nuk e respektojnë Kodin Zgjedhor, por pasi që të marrin vendim me të cilën konstatohet kandidatura e tyre.
Deri më 21 nëntor, dita e fillimit të fushatës zgjedhore duhet të respektohen edhe afate tjera.
- 17 tetor – Radiodifuzuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (internet – portalet) janë të obliguar që t’i caktojnë çmimoret e tyre për reklamim të paguar politik të atyre që marrin pjesë në procesin zgjedhor;
- 27 tetor – KSHZ patjetër duhet ta vendosë në inspektim publik Listën Zgjedhore. Inspektimi do të zgjasë 20 ditë, deri më 16 nëntor;
- 11 nëntor – KSHZ duhet t’i publikojë përshkrimet e njësive zgjedhore;
18 nëntor – KSHZ patjetër duhet t’i publikojë në shtypin ditor listat me kandidatë për deputetë./infoshqip.com