Çfarë nënkupton mobilizimi i pjesshëm?

Presidenti rus Vladimir Putin i është drejtuar sot kombit, ku tha se “Perëndimi dëshiron të shkatërrojë vendin e tij” dhe se këtu “bëhet fjalë për mbrojtjen e Rusisë dhe territorit të Donbasit”.

Gjithashtu bëri të ditur se Rusia mbështet referendumet në rajonet që kontrollohen nga forcat separatiste pro-ruse që mbështeten nga Kremlini, transmeton Telegrafi.

E ajo çfarë alarmoi më së shumti botën është mobilizimi i pjesshëm i rezervistëve në luftën e Ukrainës, dhe kërcënimet që i bëri në llogari të gjithë atyre që Putin beson se po “minojnë paqen”.

E termi i mobilizimit të pjesshëm ushtarak përdoret praktikisht në tërë botën, por dallon nga vendi në vend me disa gjëra.

Në rastin e Rusisë, ashtu siç ka thënë Putin, mobilizimi i pjesshëm ushtarak nënkupton se rezervistët do të thirren që të shërbejnë në luftë.

E ky proces do të fillojë menjëherë. Rezervistët nënkuptojnë pjesëtarë rezervë të ushtrisë. Në një kuptim më të gjerë, bëhet fjalë për persona që kanë kryer shërbimin ushtarak.

Në Rusi shërbimi ushtarak është akoma i obligueshëm dhe zgjatë 12 muaj. Është i obligueshëm për të gjitha banorët e gjinisë mashkullore nga mosha 18 deri në 27-vjeç.

Shmangia e kryerjes së shërbimit ushtarak dënohet deri me dy vite burgim. Por ekzistojnë mënyra të ndryshme që rrugëve legale të shmanget shërbimi ushtarak.

Deklarata e Putinit për mobilizim të pjesshëm erdhi, pasi që Parlamenti i Moskës dhe Duma votuan për ndryshimin e ligjit për shërbimin ushtarak – duke ashpërsuar dënimet për shkelje të rregulloreve gjatë shërbimit ushtarak – siç është rasti i dezertimit dhe shmangies së këtij shërbimi ushtarak, shkruan CNN.

Ligji parashikon dënim me burg deri në 15 vjet për shmangie nga shërbimi ose shkelje të urdhrave zyrtare të ushtarakëve.

Deputetët e Dumës ruse kanë propozuar deri në 5 vite burg për shkatërrim ose dëmtim nga pakujdesia të armëve dhe pajisjeve ushtarake gjatë luftës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu