Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të ndodhin këtë javë.
Deklarata e Rutte vjen në prag të shpalljes së aktgjykimit në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“KFOR-i është aty, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë këtë javë në Kosovë”, ka deklaruar Rutte, duke theksuar se NATO do të vazhdojë të kontribuojë për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.
Rutte tha se angazhimi i Aleancës për paqen dhe sigurinë në Kosovë mbetet i pandryshuar edhe në periudhën që vjen, ndërsa NATO do të vazhdojë të vlerësojë mënyrën më të mirë për organizimin dhe përshtatjen e misionit të KFOR-it sipas situatës në terren.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar zyrtarisht se aktgjykimi në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet edhe në gjuhën shqipe.
Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka kërkuar dënime prej 45 vitesh burgim për secilin prej tyre.
Në Kosovë, vendimi i pritshëm ka shkaktuar vëmendje të madhe publike, ndërsa autoritetet dhe institucionet ndërkombëtare po e përcjellin me kujdes situatën e sigurisë para dhe pas shpalljes së aktgjykimit.(INA)










