Analisti politik Alajdin Demiri thotë se në Maqedoni nuk ka rrezik për sigurinë, gjegjësisht nuk duhet të kemi frikë se dikush nga jashtë do të na sulmojë dhe do të rrezikohet siguria e qytetarëve. Sipas tij, në Maqedoni ka tjetër krizë, që siç thotë, qëllimisht krijohet nga elitat politike që janë në pushtet. Ai paralajmëron se marrëdhëniet ndëretnike janë rrezik i fshehur por që mund ta rrezikojnë sigurinë e shtetit.
“Rreziku është shumë i vogël dhe është nën kontroll. Megjithatë , të gjitha këto rreziqe të vogla që janë nën kontroll, prodhojnë një rrezik të madh i cili ndoshta nuk do të mund të mbahet gjatë nën kontroll. Mund të dalë jashtë kontrollit të Gruevskit, Ali Ahmetit apo të dikujt tjetër, të cilët e menaxhojnë për profite vetanake. Ky rrezik është rrezik real”, u shpreh Alajdin Demiri, analist politik.
Megjithatë, sipas ish ambasadorit dhe analistit politik Risto Nikovski, problemi i marrëdhënieve ndëretnike lindi pas vitit 2001, gjegjësisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, që sipas tij, i ndau qytetarët në baza etnike.
“Duhet t’i investojmë të gjitha përpjekjet politike në zgjidhjen e problemeve ekzistuese siç janë marrëdhëniet ndëretnike dhe problemet politike dhe të shkohet para nëpërmjet një sistemi qytetar që dominon në vendet e zhvilluara dhe që do të mundësonte çdo qytetar pa dallim të përkatësisë fetare, etnike dhe çfarëdo përkatësie tjetër, të jetë i barabartë në shtet”, tha Risto Nikovski, analist politik.
Sipas kryetarit të Sindikatës së pavarur policore Goce Dellçev Todev, mosrespektimi i të drejtave të policëve dhe të të punësuarve në MPB mund të ndikojë negativisht mbi përpjekjet për ruajtjen e sigurisë.
“Ata që duhet të angazhohen në pjesën e problematikës ligjore dhe financiare u shmangen përgjegjësive dhe fajin ua hedhin atyre që e mbrojnë shtetin”, shtoi Goce Dellçev-Todev, Kryetar i SPP.
Të gjitha rreziqet që paraqiten, multiplikohen me kalimin e kohës dhe për këtë arsye, nevojitet reagim i koordinuar i të gjitha institucioneve në parandalimin e rreziqeve, thotë Stevko Stefanovski nga Qendra për menaxhim me krizat.
“Nga debati doli në sipërfaqe se bëhet fjalë për rreziqe që multiplikohen. Për këtë nevojitet përgjigje adekuate që do të nënkuptonte angazhim multi-sektorial nga ana e shtetit”, tha Stevko Stefanovski, Ndihmësdrejtor i QMK.
Edhe pse ekzistojnë rreziqe të sigurisë në Maqedoni, megjithatë të gjithë të ftuarit në Klik Plus ishin të një mendjeje se për momentin qytetarët nuk kanë arsye të shqetësohen./TV21