Kryeministri Hristijan Mickoski ka përfunduar bisedimet e para me partnerët e koalicionit për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë, ndërsa zgjidhjet përfundimtare kadrovike priten gjatë javës së ardhshme, përpara se lista t’i dorëzohet Kuvendit më së voni deri më 1 korrik.
Nga Qeveria thonë se takimet me Vlen dhe ZNAM kanë kaluar në një atmosferë konstruktive dhe se procesi nuk udhëhiqet nga interesat partiake apo personale, por nga nevoja për forcimin e kapacitetit institucional dhe realizimin më të shpejtë të programit qeveritar, shkruan portali Inbox7.
Mickoski më herët paralajmëroi se rikonstruksioni do të përfshijë ndryshime në eshalonin e parë, por edhe në strukturat e tjera të pushtetit dhe në nivel lokal deri në fund të verës.
Deri më tani është konfirmuar zyrtarisht vetëm largimi i zëvendëskryeministrit Arben Fetai, dorëheqja e të cilit është pranuar. Nën pikëpyetje mbetet pozita e ministrit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, i cili u largua nga VLEN.
Në opinion po spekulohet edhe për rrokada të mundshme në resortin e shëndetësisë, por kryeministri nuk komenton nëse po bisedohet për një zhvendosje të mundshme të ministrave të VMRO-DPMNE-së, por edhe të VLEN-it si Azir Aliu, Bekim Sali në resore tjera, por gjithçka mbetet jozyrtare.
Nga VLEN thonë se rikonstruimi nuk duhet të reduktohet vetëm në ndryshimin e individëve, por duhet të jetë një instrument për një dinamikë të re, përshpejtim të reformave dhe realizim më të mirë të qëllimeve programore.
Nga ZNAM nuk zbulojnë detaje nga bisedimet, por më herët hodhën poshtë spekulimet për ndryshime të mundshme te ministrat e tyre, duke vlerësuar se zyrtarët e tyre po i kryejnë mirë detyrat. LSDM-ja opozitare vlerësoi se rikonstruksioni i paralajmëruar do të jetë „kozmetik“ dhe se nuk do të sjellë ndryshime thelbësore për qytetarët.
Rikonstruimi i qeverisë vjen pas dy viteve nga formimi i kabinetit të Mickoskit dhe në një periudhë të debatit të intensifikuar politik për rezultatet e Qeverisë, përmbushjen e premtimeve zgjedhore dhe standardin ekonomik të qytetarëve.(INA)










