Cili është hapi i rradhës i BDI-së

Vetëm brenda pak ditësh, BDI-ja ka pasur qëndrime kontradiktore nëse tërheqja e kuadrove të saj nga Qeveria do të ndihmonte zhbllokimin e procesit ose do të impononte zgjedhje të parakohshme parlamentare, transmeton Gazeta Express duke iu referuar Alsat-M.

Ditë më parë, vetë zëdhënësi Bujar Osmani deklaroi se tërheqja do të nënkuptonte zgjedhje të parakohshme.

Unë dëgjova edhe sugjerime se BDI-ja do të duhet të largohet nga Qeveria për të ndihmuar formimin e Qeverisë së re. Kemi deklaruar disa herë se dalja e BDI-së nga Qeveria teknike imponon zgjedhje të parakohshme. Nëse dikush preferon zgjedhje të parakohshme mund ta diskutojmë – tha Bujar Osmani, zëdhënësi i BDI-së.

Një ditë më parë kjo parti në tryezë hapi debatin për tërheqjen e mundshme të ministrave të tyre nga Qeveria teknike por kreu i kësaj partie Ali Ahmeti, nga ana tjetër tha se nuk përkrahin idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kemi analizuar tërheqjen e pjesëtarëve të ekzekutivit të Bashkimit Demokratik për Integrim të shohim se sa mund të kontribuojë në zhbllokimin e situatës sepse ka zëra që kjo mund të jetë një kontribut. Nuk është zgjidhja më e mirë shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Kemi probleme shumë më të rëndësishme. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të thotë se ofrojnë një zgjidhje më të mirë dhe ne jemi në kërkim të zgjidhjeve më të mira tani që të dalim nga kjo situatë – deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nëse BDI-ja merr vendimin e largimit të ministrave dhe zv/ministrave të saj nga kabineti qeveritar, mbetet e paqartë se si do të verifikohen dorëheqjet e tyre në kohën kur Kuvendi është akoma i pa konstituuar. Nëse llogaritë përfshinë edhe ministrin e brendshëm Agim Nuhiu që mori postin pas largimit të ish ministrit Oliver Spasovski, BDI-ja ka 9 nga gjithsej 26 anëtarë në kabinetin qeveritar. Kushtetuta parashikon që në rast të dorëheqjes së 1/3 së anëtarëve të kabinetit, Kuvendi të vendosë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Kryetari i Qeverisë mund të propozojë shkarkimin e anëtarit të Qeverisë. Për propozimin e shkarkimit të anëtarit të Qeverisë vendos Kuvendi në seancën e parë të radhës. Përderisa kryetari i Qeverisë propozon shkarkimin e më shumë se një të tretës së anëtarëve të Qeverisë nga përbërja e nivelit të parë, Kuvendi vendos si për zgjedhjen e Qeverisë së re – thuhet në Kushtetutë.

Kushtetuta nuk precizon nëse kjo nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve të reja ose votimin e Qeverisë së re në Kuvend.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu