Çka do t’i gjejë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që janë në “Listën e zezë” Amerikane, gati ligji

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, informoi se po punohet që të gjithë personat që janë në “Listën e zezë” të SHBA-ve të mos kenë poste publike apo të jenë kandidatë për pozita publike.

Siç tha ai, masa ka për qëllim rritjen e besimit te institucionet.

Ajo informoi se ka dhënë një iniciativë, të cilën Qeveria e ka pranuar, për ndryshimin e Ligjit për masat kufizuese, i cili do të rrisë shtrirjen e masave kufizuese dhe do t’i referohet edhe krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, dhe se me këtë do t’i kufizohet kryerja e funksionit publik personave të tillë.

“Trupi koordinues ka përgatitur tashmë një projektpropozim për ligjin. Ministria e Punëve të Jashtme si ministri amë duhet ta përgatisë dhe t’ia propozojë Qeverisë që ta shqyrtojë dhe pastaj të hyjë në procedurë parlamentare”, tha Grkovska mbrëmë në Gazi Babë të Shkupit.

Në këtë mënyrë, siç nënvizoi ajo, në emër të partneritetit strategjik me SHBA-të, lehtësohet procesi që ata persona të cilët SHBA-ja do t’i vendosë në listën e sanksioneve, të procedohen në legjislacionin vendas.

“Po shtojmë edhe Mbretërinë e Bashkuar, e cila deri më tani ishte e përfshirë në sanksionet e vendosura nga BE-ja, por duke qenë se nuk është më anëtare e BE-së, menduam që edhe ajo të shtohet. Gjithashtu besojmë se duhet të ketë pasoja shtesë në kuptimin që ata që futen në listën e sanksioneve, të mos jenë kandidatë për poste publike apo të mbajnë poste publike. Do të jetë një masë që synon rritjen e besimit. Nuk duhet të lejojmë që personat që janë vendosur në listën e sanksioneve të sillen në vendin tonë sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe jo vetëm ata persona, por edhe institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të sillen sikur të mos kishte asnjë indikacion, sepse të gjithë nga partnerët tanë ndërkombëtarë kanë dëshmi serioze në bazë të të cilave është marrë vendimi që ata persona të futen në listën e sanksioneve”, shtoi Grkovska.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu