Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “Kanal 10”, ka komentuar pozicionin e VLEN në qeverinë e Maqedonisë, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Në këtë intervistë, Kurti ka thyer heshtjen duke i dalë zot me forcë kapacitetit të koalicionit VLEN dhe duke iu kundërvënë zërave kritikë.
“Kur thua që VLEN-i nuk ka ide, koncept apo kapacitet, unë s’kam çka diskutoj më tutje, unë besoj që i ka këto”, ka prerë shkurt Kurti, duke kujtuar se në të kaluarën një parti tjetër shqiptare ka bashkëqeverisur me një VMRO shumë më të egër ndaj shqiptarëve dhe askush nuk ngrinte pikëpyetje të tilla.
“Handikapi” i madh në Shkup dhe roli i shqiptarëve
Megjithatë, lideri i Prishtinës nuk ka fshehur një të vërtetë të hidhur që lidhet me peshën e numrave në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Ai e ka cilësuar si një “handikap” faktin që një parti maqedonase ka fituar aq shumë mandate sa që pala tjetër është shpërfillur plotësisht, gjë që ua ka vështirësuar shqiptarëve pozicionin e kushtëzimit brenda koalicionit. Sipas tij, kjo situatë kërkon shumë më tepër punë e angazhim që shqiptarët të arrijnë gjendjen që vërtet e meritojnë.
Mickoski pa inferioritet ndaj Vuçiqit: Hapësira që duhet shfrytëzuar!
Surpriza më e madhe e deklaratës së Kurtit qëndron te vlerësimi i tij për sjelljen e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, përballë Beogradit zyrtar.
Kurti ka vënë re se tek Mickoski nuk ka shenja inferioriteti karshi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjë që sipas tij ndryshon lojën në rajon.
Këtë distancim të ri strategjik të Shkupit nga ndikimi serb, Kurti e sheh si një mundësi të artë dhe të jashtëzakonshme: “Unë mendoj që kjo është një hapësirë shumë interesante të cilën mund ta përdorim”, ka përfunduar ai.(INA)










