Në degën e BDI-së në Tetovë po vazhdon “lufta” e brendshme politike dhe debatet se kush do të jetë kandidati për kryetar komune.
Në kombinim janë tre kandidatë: Teuta Arifi, Hajrulla Hasani, biznesmen dhe ish-funksionar i BDI-së, si dhe biznesmeni Ibrahim Dehari, që është pronari i restorantit “Arra” në Tetovë.
Pak ditë para shpalljes së kandidaturës, burime partiake në degën e Tetovës theksojnë për INA se po zhvillohet betejë e ashpër politike, sepse çdo kandidatë ka pozicionim të fortë dhe përkrahje nga struktura të caktuara partiake.
“Nuk dua të përmend emra, por në lojë janë tre kandidatët, pasi që kanë përkrahje nga të gjitha anët dhe nga struktura që nuk mund të nënvlerësohen në BDI. Më në fund duhet të mbizotëroj arsyeja dhe kompromisi për një kandidat. Por këtu duhet të ketë kujdes, se gjithçka mund të prish punë”, theksoi për INA, funksionari i lartë i BDI-së.
Kuvendi i degës së BDI-së ditëve në vijim gjatë kësaj jave do të vendos se cili kandidat do të ketë besimin më të madh.










