Maqedonia e Veriut po përgatit një strategji të re në tregun e energjisë elektrike që synon uljen e faturave për konsumatorët shtëpiakë, në një kohë kur pjesa më e madhe e Evropës po përballet me shtrenjtim të energjisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se qeveria po punon për krijimin e një “portofoli të konsumatorëve”, i cili do të harmonizohet mes prodhuesit shtetëror EMV dhe furnizuesit universal EVN Home. Ky model, sipas tij, pritet të operacionalizohet përpara tenderit të fundvitit për furnizim me energji elektrike, përcjell INA.
“Sa i përket çmimit të energjisë elektrike. Po përgatisim një portofol konsumatorësh që duhet ta harmonizojmë me distributorin, EVN Home, dhe me prodhuesin shtetëror EMV. Këtë javë ose javën tjetër do të kemi një takim pune, në thelb për mënyrën se si blihet energjia elektrike në treg. Në rastin e furnizuesit universal, shpërndarësi, domethënë furnizuesi i energjisë elektrike EVN Home, publikon një tender në fund të vitit për të gjithë vitin pasardhës. Pra, tani po përgatisim praktikisht të gjithë treguesit në mënyrë që ata të mund të nxjerrin tenderin në fund të vitit dhe të sigurojnë, për vitin e ardhshëm, atë që mund të jetë një nga rastet e pakta, nëse jo i vetmi, në Evropë, ku qytetarët do të përfitonin deri në 5% më të ulët, ndoshta më shumë, ulje të çmimit të energjisë elektrike. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë! Të shfrytëzohen përfitimet e burimeve të rinovueshme të energjisë, konkretisht energjisë diellore, dhe në atë përzierje, gjatë gjithë vitit, të sigurohet një çmim mesatar i energjisë elektrike i cili, unë jam optimist i moderuar, do të ishte 5% deri në 10% më i lirë se ai aktual. Por le të shohim se si do ta operacionalizojmë gjithë këtë”, theksoi Mickoski.
Sipas parashikimeve të kreut të qeverisë, skenari i ri mund të sjellë një zbritje të ndjeshme të çmimit të rrymës. /INA/










