Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 ishte e fundit në karrierën e tij, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojë të luajë për Portugalinë.
Sulmuesi portugez reagoi pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në fazën e 1/8 së finales, ku goli i shënuar në minutat shtesë i dha kualifikimin rivalëve.
Ronaldo pranoi se është i zhgënjyer me mënyrën se si përfundoi rrugëtimi i tij në Kupën e Botës, por theksoi se largohet me ndërgjegje të pastër.
“Jam i trishtuar që u eliminuam nga Kupa e Botës në këtë mënyrë”.
“Por dhashë gjithçka. Dhurova më të mirën time dhe largohem me ndërgjegje të pastër”.
“Ky është futbolli, kjo është jeta e një futbollisti. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet dhe duhet të vazhdosh përpara”.
“E vërteta është se ky ishte Botërori im i fundit, po. Por tani do të kem kohë të mendoj, të jem me familjen time dhe të mos marr vendime me kokë të nxehtë. Jeta vazhdon”, deklaroi Ronaldo.
Megjithatë, 41-vjeçari nuk e mbylli derën për një vazhdim me Portugalinë, duke lënë të kuptohet se mund të synojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2028.
Ai kujtoi edhe triumfin historik në Euro 2016, të cilin e konsideron arritjen më të madhe me fanellën e Portugalisë.
“Si ndihem sot? Njësoj. Me ndërgjegje të pastër. Dhurova më të mirën time. Kam fituar tre trofe me Portugalinë”.
“Para Cristianos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë trofe. Prandaj jam i lumtur”.
“E vërteta është se trofeu më i madh që kam fituar me kombëtaren ishte ai i vitit 2016, i cili për mua ka të njëjtën vlerë si një Kupë Bote”.
“Prandaj e përsëris, largohem me ndërgjegje të pastër. Dhashë gjithçka dhe kaq. Nesër është një ditë e re dhe jeta vazhdon”, përfundoi ai.
Përndryshe, Ronaldo është vetëm 24 gola larg që të bëhet lojtari i parë që shënon 1 mijë gola në karrierë./Telegrafi/










