Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka shprehur pakënaqësi për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në takimin e Helsinkit. Me rastin e marrëveshjes tregtare të Serbisë dhe Evro-Azisë, Daçiq ka thënë se “të gjitha marrëveshjet tregtare do të rishqyrtohen atë moment kur Serbia të hyjë në BE”, duke u përpjekur të bëjë shantazh ndaj BE.
Daçiq: Pasi Serbia të anëtarësohet në BE të gjitha marrëveshjet tregtare do të rishqyrtohen
Daçiq në Helsinki ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqisë i cili është mbajtur me organizimin e përfaqësues së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE Frederica Mogherini dhe kryesimit të Finlandës me Bashkimin Evropian. Ky ishte takim tradicional i cili organizohet çdo gjashtë muaj, mirëpo këtë herë Mogherini e ndryshoi formatin e takimit, ashtu që janë ftuar edhe partnerët nga Ballkani Perëndimor, pretendojnë mediet serbe.
Kjo është bërë, natyrisht, që të mundësohet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne kemi shprehur pakënaqësi për këtë. Megjithatë do të marrim pjesë në këto takime sepse në të vërtetë do të jenë vetëm emrat e pjesëmarrësve, pa shenja shtetërore, mirëpo konsiderojmë se nuk ka pasur arsye të ndryshojë formati i këtij takimi”, ka pretenduar Daçiq.
“Shumica e ministrave nga BE në Helsinki kanë folur në mënyrë pozitive në lidhje me procesin e zgjerimit, mirëpo ministrat e vendeve të rajonit nuk janë tepër optimistë sepse, presin vendime të cilat kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave për Kosovën si dhe nisjen e negociatave për hyrje në BE me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë”, pretendon Daçiq.
Ai ka reaguar edhe ndaj kritikave në lidhje me paralajmërimet për nënshkrimin e marrëveshjes tregtare në mes të Serbisë dhe Bashkimit të Evro-Azisë.
“Këtu nuk ka paqartësi, pra nuk bëhet fjalë për kurrfarë anëtarësimi, por për marrëveshje mbi tregti të lirë të cilat i kemi të nënshkruar me shumë shtete në botë”. ka thënë Daçiq.
“Të gjitha marrëveshjet mbi tregti të lirë do të rishqyrtohen atë moment kur Serbia hynë në BE”, pretendon Daçiq.










