Daçiq: Uashingtoni mund të ndihmojë në dialog, por jo ta përvetësojë rolin kyç

“Ndryshimi i formatit në dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk po paralajmërohet, e as kyçja e vendeve tjera në këtë proces. Ndërsa Uashingtoni ka mundësi të tregojë nëse dëshiron të ndihmojë, mirëpo ndihma nuk do të thotë që ta përvetësojë rolin kyç në dialog dhe të forcohen vetëm qëllimet e Prishtinës”, ka deklaruar ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq për mediet serbe, me rastin e mesazhit të Departamentit të Shtetit, pas anulimit të samitit të Parisit, se Beogradi dhe Prishtina duhet t’i kthehen bisedimeve dhe se SHBA janë të gatshme të ndihmojnë dyja palët, si dhe BE-në si ndërmjetësues”, deklaroi Daçiq.

“Nëse Amerika dëshiron të ndihmojë, shton Daçiq, edhe më tutje ka rast ideal për këtë”.

“Le ta bindë Prishtinën t’i heqë taksat e pakuptueshme, e pastaj ne kthehemi në tryezën e negociatave. Dhe le t’iu shpjegojnë se për atë çfarë jemi marrë vesh, duhet respektuar, ashtu që do t’i detyrojnë ta formojnë Asociacionin. Nuk është ndihmë për dialogun vetëm thirrja dyja palëve që të përmbahen nga provokimet, sepse Beogradi askënd nuk e provokon por gjithë kohën kujdeset për popullin e vet në Kosovë. Në ndërkohë Haradinaj përmend se taksat do të zgjasin përjetësisht nëse nuk do të ketë njohje të Kosovës”.

Daçiq përkujton se kryeministri i Rusisë Dimitrij Medvedev i ka thënë presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, se Rusia edhe më tutje do të jetë me Serbinë dhe se do të angazhohet “për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu