Dasma mbretërore qesharake në një shtet republikë, Shqipëria nuk ka princ, Zogu u vetëshpall mbret me ndihmën e serbëve

Figura të politikës shqiptare, njëkohësisht njohës të historisë së kombit shqiptar, kanë reaguar pas dasmës mbretërore të princit Leka të kurorëzuar me zonjën Elia Zaharia. Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi dhe avokat Idajet Beqiri, në një prononcim për gazetën “Sot”, e kanë cilësuar qesharake dhe të turpshme dasmën mbretërore në një shtet republikë, duke deklaruar se Leka nuk është princ. Madje, sipas tyre, edhe Zogu u vetëshpall mbret me ndihmën e serbëve dhe e braktisi Shqipërinë në momentin kur vendi kishte më shumë nevojë. Fatos Klosi shprehet se të quhesh princ kur nuk je, ky është gomarllëk dhe qesharake. Ai flet edhe për rolin e mbretit Zog. Klosi tha se mbreti Zog u përpoq të bënte shtet, por fakti që u largua nga vendi, tregoi se ai ishte thjesht një aventurier, që i pëlqente të quhej mbret. “Është një gomarllëk me brirë! Kjo është demokraci, ka dëshirë të bëjë dasmë mbretërore, le ta bëjë! Por për mua ai nuk është as princ, nuk është asnjë gjë. Është për të qeshur! Ka njerëz që duan ta quajnë veten të rëndësishëm, le ta quajnë! Nuk besoj se kjo ndodh në Itali, madje ata mbajnë profile më të ulëta. Ndërsa mbreti është një personazh i rëndësishëm i vendit. Ai u përpoq që të bënte shtet, por me largimin e tij demonstroi që nuk e kishte vërtet në mendje atë gjë përveç faktit që ai donte të ishte i rëndësishëm. Me sa duket ishte i zoti përderisa arriti që të bindte apo të detyronte parinë e vendit që ta përkrahte”, deklaron Fatos Klosi.

Idajet Beqiri

Avokat Idajet Beqiri thotë se kjo dasmë mbretërore në një shtet republikë, na ka bërë vendin më qesharak në botë. Ai shprehet se Shqipëria nuk ka princ dhe, madje, as mbret. Beqiri duke iu referuar fakteve historike, deklaron se mbreti Zog, që në fakt e shpalli veten të tillë me ndihmën e armiqve serbë, ua la Shqipërinë italianëve dhe u largua duke marrë me vete thesarin. Pra, Beqiri shprehet se mbreti Zog boshatisi Bankën e Shtetit, duke i lënë shqiptarët të varfër dhe në duart e pushtuesit. “Jemi bërë një vend qesharak ndaj vetes tonë dhe botës gjithashtu. Kemi formën juridike të shtetit republikë dhe “shpikim” të shpifurën “mbretëri”! I vetëshpalluri “mbret” erdhi me ndihmën e serbëve, armiqve shekullorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe iku si një mbathacak, kur i duhej më shumë se kurrë vendit, e mirë që iku, kur na pushtoi fashizmi, por i vodhi popullit shqiptar edhe thesarin e shtetit, dhe e la Bankën e Shtetit drangull!”, thotë Beqiri. Ai u shpreh se në vend që pjella e tij të ulë kokën, por ngrihen e bëjnë dasma mbretërore. “Në vend që pjella e tij të rrijë e turpëruar, me ndihmën e sahanlëpirësve të rinj të Beogradit të Millosheviçit, bëhen “princ”, gjejnë dhe ndonjë “princeshë” të vetemëruar dhe bëjnë “spektakle” qesharake, të cilat për kushtet në të cilat jetojnë sot shqiptarët, janë sinonim me ato që na ka paraqitur me humor fin i madhi shkrimtar i humorit, Qamil Buxheli, në romanin “Kur qesh gjithë qyteti”. Me një fjalë, turp e kaluar turpit!”, tha Beqiri./sotnews


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu