Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka reaguar pas djegies së makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës së Haraçinës.
Beqiri ka bërë thirrje që rasti të zbardhet sa më shpejt, ndërsa ka theksuar se organet e rendit po e hetojnë ngjarjen dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Djegia e makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës është një goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të Haraçinës. Por një gjë duhet të jetë e qartë: nuk na ndal askush”, ka deklaruar Beqiri.
Ai ka theksuar se incidenti nuk do ta ndalë projektin dhe se punimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e stadiumit.
“Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet. Haraçina ka pritur 50 vite për këtë ditë dhe nuk do të kthehemi prapa”, është shprehur Beqiri.
Sipas tij, stadiumi është më shumë se një projekt sportiv, pasi krijon hapësirë për zhvillimin e sportit, për fëmijët dhe të rinjtë e Haraçinës dhe për të ardhmen e klubit.
“Sot mund të digjen makineri, por nuk digjet vullneti për të ndërtuar. Stadiumi do të ndërtohet. Shkëndija do ta ketë shtëpinë e saj”, ka thënë Beqiri.
Kryetari i Haraçinës ka përcjellë edhe një mesazh personal, duke theksuar se nuk do të tërhiqet përballë presionit apo pengesave.
“Nuk më frikësoni. Nuk ndalem përballë presionit, kërcënimeve apo pengesave. Unë do ta çoj këtë projekt deri në fund.”
Në fund, Beqiri ka theksuar se qëllimi mbetet i pandryshuar: stadiumi i Shkëndijës të përfundojë dhe të jetë në shërbim të sportistëve dhe të rinjve të Haraçinës.
“Më njihni. Unë jam njeri i fjalës. Kur jap fjalën, e mbaj. Kësaj radhe, fjala është dhënë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet!”










