De Biasi: Shqipëria e kërkoi dhe e meritoi fitoren ndaj Izraelit

Pesë vite e gjysmë dhe një largim mes lotësh nuk mund kurrsesi të harrohen për… një vit. Lidhja e krijuar nga Gianni De Biasi me Kombëtaren dhe Shqipërinë është e tillë që për shumë kohë do të mbetet speciale. Edhe pse ishte shpesh nervoz në konferencat e shtypit, në jo pak raste kritikonte mediat.

Edhe pse ishte i rreptë me lojtarët, ai kishte aftësinë për të mos tejkaluar masën. I gjendur në aeroport, para fluturimit drejt destinacioneve të tij personale, Gianni De Biasi, në një intervistë për “Panorama Sport”, komenton paraqitjen e Shqipërisë. Nuk harron të përsërisë se është tifoz me këtë skuadër, porse edhe deklaron se është në krah të trajnerit të ri.

• Mister De Biasi, ishit në stadium. Si e patë ndeshjen ndaj Izraelit?

“Ishte një ndeshje jo e lehtë. Në pjesën e parë pashë një skuadër më të kontraktuar dhe nervoze, e cila rrezikoi të pësonte në të paktën dy raste. Por, në të dyja rrethanat u tregua i zoti Strakosha që të shpëtonte. Në pjesën e dytë e merituam fitoren. Megjithatë, Shqipëria mund ta kishte mbyllur ndeshjen edhe para minutës së 90-të. Mendoj që ishte një nisje shumë e mirë që i jep besim ambientit dhe skuadrës. Kjo fitore i bëri skuadrës që të kuptojë se në kuadër të Ligës së Kombeve mund të arrijë edhe e para në këtë grup.

• Pse ishte nervoze skuadra sipas jush?

“Kur ndeshjet vlejnë tri pikë, qëndrimi është ndryshe për shkak se ka diferencë të madhe kur luan një miqësore dhe një ndeshje me vlerë pikësh. Të mos harrojmë që ka pasur një sërë situatash, të cilat janë provuar nga trajneri, sidomos gjatë miqësoreve dhe është e justifikueshme. Kjo, pasi në rast se nuk i bën provat gjatë miqësoreve, Panucci nuk mund t’i bënte gjatë kualifikueseve të Ligës së Kombeve.

• Le të flasim pak taktikisht. Si ishte rreshtimi 4-3-3 i Shqipërisë?

“Pashë në fushë një skuadër të ekuilibruar, shumë të ekuilibruar. Për më tepër, me një mbrojtje, lojtarët e së cilës luanin për herë të parë së bashku. Mendoj se edhe djaloshi, i cili debutoi, Binaku, tregoi teknikë të mirë. Ishte mirë edhe fizikisht, si dhe shtynte mirë përpara. Gjithashtu, ishte mesfusha e zakonshme e Kombëtares. Ndërsa në sulm, Guri u soll shumë mirë, megjithëse nuk bëri gjëra të jashtëzakonshme. Pres diçka më shumë nga Hyka, i cili për mua është një lojtar që duhet të bëjë diferencën dhe në fushë duhet të shfaqë më shumë vendosmëri dhe kurajë që të synojë driblimet një kundër një. Sepse, për mua është i vetmi që mund ta vendoste në vështirësi kundërshtarin.

• Ama, Shqipëria fitoi prej portierit dhe jo prej manovrave sulmuese…

Portieri është pjesë e skuadrës dhe duhet të japë një ndihmesë të mirë. Mendoj se Tomasi dha një ndihmë të madhe edhe në këtë ndeshje. Skuadra luajti, u përpoq të sulmonte. Gaboi në disa kundërsulme. Sidomos në pjesën e dytë këtë mënyrë loje mund ta kishte interpretuar më mirë, sepse ose gabonte në pasimin e fundit, ose jepte pasimin e fundit në mënyrë të saktë dhe gabimi bëhej përpara portierit kundërshtar. Sidoqoftë, rezultati është pozitiv, me skuadrën që do të rritet ndeshje pas ndeshjeje”, përfundoi De Biasi. /albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu