Deklarata bombë: Nuk e dënojmë gjenocidin serb, se pengon ‘Ballkanin e Hapur’ (VIDEO)

Ndodh shpesh që ata që nuk i kuptojnë gjërat mirë, të bërtasin me zë të lartë ato që të diturit i kumtojnë në mënyrë të kamufluar.

Kështu ka ndodhur në emisionin ‘Open’ edhe me zv/kryetaren socialiste të Kuvendit, Ermonela Felaj, e cila e ka lidhur me ‘naivitet’ refuzimin e Rilindjes për të dënuar gjenocidin serb qoftë në Bosnje qoftë në Kosovë, nga frika se mos prishen interesat Rama- Vuçiç për ‘Open Balkan’.

Deri më tani shumë analistë dhe opozitarë e kanë shprehur me zë të lartë faktin se qeveria e Tiranës nuk mban qëndrim ndaj gjenocidit serb, pasi nuk do të prishë marrëdhëniet me Beogradin.

Madje kur Taulant Balla hodhi poshtë rezolutën për dënimin e krimit në Sebrenicë, në shtypin shqiptar u botua një deklaratë e presidentit Vuçiç një vit më parë që thoshte se ‘ne do t’i pengojmë të tilla rezoluta në vende mike’.

Por, zyrtarisht asnjëherë nga Partia Socialiste nuk e kanë pranuar këtë version. Edhe në rastin e rezolutës së parë edhe për atë të dënimit të gjenocidit Serb në Kosovë, ata kanë fshehur kokën si struci, duke deklaruar se nuk votojnë për tekste që mbajnë nënshkrimin e Sali ‘non grata-s’.

Ermonela Felaj u bë e para që e lidhi publikisht këtë ngurrim të partisë së saj me merakun se mos dëmtohet projekti i Open Balkan.

‘Kjo modë për të bërë rezoluta është një mënyrë për t’i rënë ndesh Open Balkan, sepse dihet që opozita është kundër këtij projekti’, tha ajo në Open, siç mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme.

Pra është e qartë se socialistët e Ramës po lënë në harresë historinë e dhimbshme të Kosovës, vetëm për ta mbajtur mirë me Vuçiçin.

Dy ditë më parë, një duzinë deputetësh të PD-së, pothuajse të njëjtët që hartuan edhe rezolutën e rrëzuar për dënimin e genocidit në Sebrenicë, kanë depozituar një nismë tjetër ku kërkohet që Kuvendi të miratojë tekstin që dënon genocidin serb në Kosovë dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.

Ata duan që Kuvendi ta miratojë atë në prag të 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat e NATO-s, në 24 qershor. Po ashtu kërkohet që data e masakrës së Raçakut, 15 janari, të shpallet si dita e kujtimit të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Për hir të së vërtetës mes dy rezolutave, asaj për dënimin e gjenocidit në Sebrenicë dhe asaj për dënimin e atij në Kosovë, ka një ndryshim të madh.

Të parin e kanë njohur institucionet ndërkombëtare si Gjykata e Ndërkombëtare e Drejtësisë, ajo e Hagës si dhe parlamentet e shumë vendeve të rajonit. Kurse për t’i emëruar krimet e luftës në Kosovë si gjenocid, nuk ka një konsensus ndërkombëtar. Një qëndrim të tillë e ka mbajtur vetëm parlamenti në Prishtinë.

Nisur nga kjo, gjatë vizitës së saj të parë në Tiranë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamni i kërkoi kuvendit të Shqipërisë votimin e një rezolute:

‘Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën për krimet serbe në Kosovë dhe ka kërkuar që ata që e kryen gjenocidin të dalin para drejtësisë. Është krejtësisht e natyrshme që të presim që Shqipëria të jetë vendi i dytë që ta bëjë këtë, pas Kosovës’, tha ajo në dhjetor të vitit të shkuar.

Por me sa duket tani edhe presidentja e Kosovës edhe opozita e kanë marrë përgjigjen zyrtare: Socialistët nuk e dënojnë gjenocidin serb se ai i prish punë planeve të dyshes Rama- Vuçiç.

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu